Rusia konfirmoi të hënën gatishmërinë për të marrë pjesë në negociata të drejtpërdrejta me Ukrainën, duke theksuar se njohja ndërkombëtare e kontrollit të saj mbi pesë rajone ukrainase, përfshirë Krimenë, është kusht i domosdoshëm për zgjidhjen e konfliktit.
"Vazhdojmë të jemi të hapur për negociata, por topi nuk është në fushën tonë. Kievi deri më tani nuk ka treguar gatishmëri për negociata," tha ministri i Jashtëm rus Sergej Llavrov në një intervistë për të përditshmen braziliane O Globo.
Këto deklarata vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Rusisë të pranojë një armëpushim, duke thënë për gazetarët të dielën se beson që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të konsiderojë heqjen dorë nga Krimea si pjesë e një marrëveshjeje – gjë që Kievi e kishte refuzuar më parë.
Llavrov përsëriti qëndrimin e Moskës se Ukraina nuk duhet t’i bashkohet NATO-s dhe duhet të "konfirmojë statusin e saj neutral dhe të painkuadruar" si një kusht për një zgjidhje përfundimtare që "do të plotësonte interesat e sigurisë së Rusisë".
Që nga fillimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në shkurt 2022, Moska ka marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të katër rajoneve ukrainase – Donjeckut, Hersonit, Luhanskut dhe Zaporizhias – dhe i ka shpallur ato si pjesë të territorit të saj, bashkë me Krimenë, të cilën e kishte aneksuar ilegalisht në vitin 2014.
Kievi ka dënuar aneksimet dhe presidenti Zelensky ka deklaruar se do të dëbojë forcat ruse nga e gjithë territori i Ukrainës.
ShBA-ja, Türkiye, BE-ja dhe dhjetëra vende të tjera kanë shpallur aneksimin rus të Krimesë si të paligjshëm.