Më shumë se 350 regjisorë, aktorë dhe producentë të njohur nga e gjithë bota kanë dënuar sulmet e Izraelit në Gaza, duke i përshkruar ato si "gjenocid".
Sipas lajmit të revistës "Variety", artistët publikuan një letër të hapur për gazetaren palestineze Fatima Hassouna, e cila u vra në një sulm izraelit.
Në letër, artistët deklaruan se nuk mund të heshtin për gjenocidin në Gaza dhe theksuan se kinemaja duhet të jetë një mjet në luftën kundër padrejtësisë.
Duke dënuar sulmin e forcave izraelite ndaj Hamdan Ballalit, regjisorit palestinez të dokumentarit fitues të çmimit Oscar "No Other Land", artistët kritikuan mosveprimin e akademisë.
Letra u nënshkrua nga më shumë se 350 regjisorë, aktorë dhe producentë të njohur botërisht, përfshirë Pedro Almodovar, Javier Bardem, Gianni Amelio, Ralph Fiennes, Mark Ruffalo, Yorgos Lanthimos dhe Khalid Abdalla. Gjithashtu në letër dënohen sulmet e Izraelit në Gaza ku thuhet: "Na vjen turp për një indiferencë të tillë".
Gazetarja palestineze 25-vjeçare Fatima Hassouna u vra në një sulm izraelit në Rripin e Gazës. Dokumentari i Hassounas që kishte temë sulmet, do të shfaqej në Festivalin e Filmit në Kanë.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 52.862 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 119.648.