Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe procesi i votimit vazhdoi deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar, siç është edhe e përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, në disa qendra votimi procesi ka vazhduar edhe disa minuta, për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 ishte 41,37 për qind nga të dhënat e përpunuara për 3.880 qendra nga gjithsej 5.225.
Pas dorëzimit të materialeve zgjedhore në qendrat e numërimit do të fillojë procesi i numërimit të votave.
Të drejtën e votës e kishin 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Numri i zonave zgjedhore është 12 në të gjithë vendin dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.
Risia kryesore e zgjedhjeve ishte votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votuan edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.
Zgjedhjet janë vëzhguar nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu kishte edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.