Në çdo fillimviti, zyrtarët e lartë publikë në Kosovë përfshirë edhe krerët e partive politike janë të detyruar me ligj të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Deklaratat e pasurisë të publikuara nga APK-ja zbulojnë një gamë të gjerë të pasurive që përfshijnë apartamente, shtëpi familjare, toka bujqësore e komerciale, dhe para të mbajtura në llogari bankare, shpesh në mijëra apo qindra mijëra euro. Disa prej tyre kanë edhe borxhe të mëdha ndaj bankave apo institucioneve të tjera financiare, ndërsa të tjerë deklarojnë pasuri që e tejkalon ndjeshëm nivelin mesatar të jetesës në vend.
Në vazhdim TRT Balkan ju sjell të dhënat rreth pronës dhe pasurisë që posedojnë katër liderët e partive kryesore politike në Kosovë.
Albin Kurti
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në APK ka deklaruar se bashkëshortja e tij është pronare e një banese me vlerë 400.000 euro, ndërkohë që në emrin e tij personal nuk figuron asnjë pasuri e paluajtshme. Sa i përket parave të gatshme, Kurti ka deklaruar 1.800 euro në llogarinë e tij personale, ndërsa bashkëshortja posedon 15.500 euro dhe vajza e tyre ka një shumë simbolike prej 70 euro.
Në deklaratë përfshihet edhe një kredi në emër të bashkëshortes, në vlerë prej 170 mijë eurosh, kjo është pjesa e mbetur e një kredie fillestare prej 270 mijë euro, e cila është marrë për blerjen e banesës.
Po ashtu, Kurti ka deklaruar se paguan një qira mujore prej 250 euro për shtëpinë ku banon.
Sa u përket të hyrave vjetore, ai ka raportuar një pagë prej 20.278 eurosh që merr si kryeministër, ndërsa të ardhurat vjetore të bashkëshortes kapin shumën prej 44.100 eurosh.
Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar në APK një banesë prej 120 mijë eurosh si ndërrim me një apartament paraprak dhe një shtëpi prej 180 mijë eurosh, të blerë me kursime, kredi dhe ndihmë familjare.
Në pasurinë e luajtshme përfshihen: një bibliotekë që kap vlerën prej 15 mijë eurove, vepra arti 9 mijë euro dhe një veturë prej 20 mijë eurosh në emër të bashkëshortes.
Krasniqi po ashtu ka deklaruar se posedon një sasi të konsiderushme të kripotovalutave, në total 25 lloje të ndryshme. Një sasi prej 2 Bitcoin që e kishte blerë më 24.06.2016 në vlerë 570 euro tani kanë vlerën 76.150 euro, ndërkohë 10 kriptovaluta ethereum që i kishte blerë në të njëjtën datë në vlerë 12 euro, tani kanë vlerën 1.690 euro.
Në para të gatshme ka deklaruar 3.194 euro në emrin e tij dhe mbi 32 mijë euro në emër të bashkëshortes.
Të ardhurat vjetore të tij janë rreth 20 mijë euro si pagë nga Kuvendi, ndërsa të bashkëshortes mbi 16 mijë euro nga dy burime pune.
Lumir Abdixhiku
Një listë të gjatë të pronave të paluajtshme, pasurive të luajtshme, të hyrave dhe detyrimeve financiare në Formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2025, i cili është bërë publik nga APK-ja në prill të këtij viti, e ka paraqitur edhe kreu i Lidhje Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka deklaruar katër prona të paluajtshme: një shtëpi prej 214 m² të blerë në vitin 2014 për 200 mijë euro, një tjetër të trashëguar me sipërfaqe 200 m² (150 mijë euro), 1.500 m² tokë të trashëguar (90 mijë euro) dhe një banesë 174 m² të blerë në vitin 2023 për 260 mijë euro, përmes kredie. Të gjitha figurojnë si pronë e përbashkët.
Në pasuri të luajtshme, ka deklaruar një veturë Mercedes Benz (2019) me vlerë 25 mijë euro, në emër të bashkëshortes. Ajo zotëron gjithashtu 25 për qind të aksioneve në “Ampera Group”, me vlerë 2.500 euro.
Sa u përket të hollave të gatshme, Abdixhiku ka deklaruar rreth 10.370 euro në dy banka, ndërsa bashkëshortja 1.609 euro.
Borxhet përfshijnë një overdraft prej 2.000 eurosh, 29.000 euro kredi për renovim dhe një kredi prej 126.000 euro për blerjen e banesës në Marigona Hill.
Të ardhurat e tij vjetore arrijnë në mbi 43.000 euro, nga pozita e deputetit dhe angazhimi në Kolegjin Riinvest, ndërsa, bashkëshortja e tij realizon 12.000 euro në vit nga pozita në Kompaninë “Monten SH.P.K.”.
Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar pasuri të ndryshme pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në kuadër të deklarimit të rregullt vjetor.
Në formularin e dorëzuar APK, Haradinaj ka përfshirë gjithsej 10 pasuri të paluajtshme, përfshirë shtëpi, toka, vila, një banesë dhe një truall. Vetëm njëra nga to, një tokë me sipërfaqe dy milionë metra katror, është vlerësuar në 7 milionë euro e cila rezulton si pronë e përbashkët.
Në total, pronat e tij përfshijnë:
Dy shtëpi me vlerë prej 300 mijë dhe 80 mijë euro, një truall prej 12 arësh (vlerë: 76 mijë euro), tri vila të blera në vitet 2022–2024 me vlerë që varion nga 120 mijë deri në 200 mijë euro, një banesë të dhuruar nga vëllezërit me vlerë 50 mijë euro, një banesë tjetër prej 120.000 euro, dhuratë për fëmijët, një tokë tjetër në Golem të Shqipërisë në vlerë 75 mijë euro.
Haradinaj ka paraqitur edhe dy vetura, njërën në emër të tij dhe tjetrën në emër të bashkëshortes. Lideri i AAK-së është aksionar edhe në një firmë ndërtimore HCC sh.p.k. ku ai dhe bashkëshortja zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve. Secili ka deklaruar vlerën simbolike prej 500 euro për pjesëmarrjen në këtë biznes.
Përveç pasurive të paluajtshme, Ramush Haradinaj ka deklaruar edhe dy vetura: një Toyota të blerë në vitin 2023 për 19 mijë euro, si dhe një tjetër veturë prej 50 mijë eurosh, e blerë më 2024 në pronësi të bashkëshortes.
Ai nuk ka raportuar zotërim të letrave me vlerë apo kriptovalutave.
Sa i përket të hollave të gatshme, Haradinaj ka deklaruar 2.603.50 euro në llogarinë e tij personale dhe 12.919.61 euro në llogarinë e bashkëshortes. Të dyja shumat janë të mbledhura nga paga mujore dhe të hyrat nga pozitat publike.
Shumica e pasurive sipas formularit të publikuar nga APK-ja janë fituar përmes mjeteve të përbashkëta familjare, trashëgimisë ose blerjes me kursime. Ndërkaq, Haradinaj ka theksuar edhe angazhimin e tij si kryetar i një partie politike, përveç funksionit të deputetit.
Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë në Kosovë është bërë obligim ligjor që nga viti 2007, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të korrupsionit.
Sipas ligjit në fuqi, çdo zyrtar i lartë publik është i detyruar ta deklarojë pasurinë brenda 30 ditësh nga marrja e detyrës, e më pas ta rifreskojë këtë informacion çdo vit.
Edhe pse kanë kaluar tre muaj të plotë nga data 9 shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme të rregullta në Republikën e Kosovës, formimi i institucioneve të reja të larta shtetërore ende nuk ka ndodhur. Çështja e zgjedhjes së kryeparlamentarit të Kosovës mbetet pika kryesore ku partitë politike të Kosovës nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje.