Përfaqësuesit e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri që u zhvilluan më 11 maj mbajtën një konferencë për mediat, duke prezantuar gjetjet e tyre në lidhje me procesin zgjedhor.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin konkurruese dhe u menaxhuan me profesionalizëm, ndërsa, sipas tyre, autoritetet për herë të parë arritën ta përballonin sfidën e organizimit të votimit nga jashtë vendit dhe kandidatët patën në përgjithësi mundësinë të bënin fushatë lirshëm.
Kreu i misionit të vëzhguesve nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ambasadori Lamberto Zannier, u shpreh se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u menaxhuan mirë, por sipas tij vëzhguesit dëshmuan abuzim me burimet publike gjatë fushatës.
"Këto zgjedhje u zhvilluan pas disa ndryshimeve të sistemit zgjedhor dhe pas futjes për herë të parë të votimit nga jashtë, duke i bërë këto zgjedhje një gur të rëndësishëm themeli për këtë vend. Pavarësisht disa ndryshimeve në sistem, rekomandimet E mëparshme të ODIHR-it mbeten ende të pa adresuara", tha Zannier.
Ai tha se përgatitjet për zgjedhjet ishin përgjithësisht efeciente dhe të menaxhuara mirë, duke përfshirë sipas tij edhe përgatitjet për votimin nga jashtë.
Zannier theksoi se patën një bashkëpunim shumë të mirë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe shtoi se administrata zgjedhore ishte transparente përgjithësisht në përputhje edhe me afatet ligjore.
"Fushata përgjithësisht ishte e qetë. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte e qetë dhe transparente. Vëzhguesit tanë panë se votimi në shumicën e qendrave të votimit ishte i rregullt, megjithatë në shumë qendra votimi procedurat nuk u ndoqën si duhet", u shpreh Zannier.
Koordinatorja e posaçme dhe drejtuesja e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, Farah Karimi, tha se kuadri ligjor dhe kapaciteti institucional mundësuan zgjedhje të mirorganizuara, duke përforcuar një bazë demokratike solide, por shtoi se "zgjedhësve nuk iu dha shansi të dëgjonin një shkëmbim të sinqertë idesh politike".
Vëzhgimi ndërkombëtar i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri përfshiu 365 vëzhgues gjithsej nga 47 vende.
Në Shqipëri të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.
Të drejtën e votës e kishin 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Risia kryesore e zgjedhjeve ishte votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.