Mali i Zi është një nga shembujt më të mirë të momentit pozitiv të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), tha Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke shtuar se është thelbësore që vendi ta ruajë fokusin dhe të mos e ngadalësojë progresin e tij mbresëlënës.
Costa ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku u takua me Presidentin Jakov Millatoviq.
Në një konferencë për media me Millatoviqin, ai tha se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm në stabilitet, paqe dhe prosperitet në rajon dhe në Evropë.
“Progresi i Malit të Zi është rezultat i ambicies, punës së përkushtuar dhe fokusit tuaj për t’u bërë një anëtar i ri i BE-së. Ju po arrini rezultate dhe po ruani përputhshmëri të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, mbi të gjitha duke mbështetur një paqe të drejtë në Ukrainë”, tha Costa.
Sipas tij, Mali i Zi është një nga shembujt më të mirë të momentit pozitiv të BE-së kur bëhet fjalë për zgjerimin.
Costa tha se Parlamenti Evropian e ka njohur gjerësisht përparimin e rëndësishëm që e ka bërë Mali i Zi.
"Tani është thelbësore të ruhet kjo qasje, të mbahet fokusi te qëllimi dhe të mos ngadalësohet ky progres mbresëlënës", tha Costa.
Ai deklaroi se konsensusi politik dhe stabiliteti institucional janë çelësi për arritjen e anëtarësimit në BE.
“Është shumë e rëndësishme të ruhen marrëdhëniet e mira me fqinjët, veçanërisht me ato vende që janë tashmë anëtare të BE-së”, tha Costa.
Kjo, shtoi ai, është pjesë e kritereve dhe parakusht për anëtarësim.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Këshilli Evropian beson se marrëveshje të tilla si ajo midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme, minojnë standardet ligjore të BE-së, Costa tha se respektimi i kornizave ligjore të BE-së është një kusht themelor për anëtarësim.
Ai deklaroi se Komisioni Evropian (KE) e ka vlerësuar tashmë marrëveshjen dhe se Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Cos, ka dërguar një letër ku përcaktohet qartë qëndrimi i KE-së.
“Dhe ky qëndrim mund ta përmbledh në disa fjali, kërkon që këto marrëveshje ta respektojnë plotësisht legjislacionin evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për prokurimin publik dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha Costa.
Kur u pyet për marrëveshjen e koalicionit mbi bazën e së cilës u formua qeveria gjermane dhe se si do të ndikojë ajo në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ai tha se zgjerimi drejt atij rajoni, si dhe drejt Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, është një detyrim i BE-së dhe se ka mbështetje të plotë nga Gjermania.
"Pata mundësinë të takohem me Kancelarin Merz. Gjermania vazhdon të jetë një mbështetëse kryesore e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor", tha Costa.
Presidenti malazez Jakov Millatoviq tha se vizita e Costas përfaqëson një mesazh të fortë mbështetjeje për Malin e Zi në rrugën e tij evropiane.
“Takime të tilla konfirmojnë se perspektiva evropiane e rajonit, dhe veçanërisht e Malit të Zi, mbetet lart në agjendën e BE-së”, tha Millatoviq.
Ai shtoi se e sheh vizitën si një sinjal të qartë për vazhdimin e dialogut politik në nivelin më të lartë midis Malit të Zi dhe BE-së.
Sipas Millatoviqit, Mali i Zi është krenar për statusin e tij si lider në integrimin evropian.
"Dhe ne jemi vërtet të vendosur të qëndrojmë në atë kurs. Qëllimi është të bëhemi anëtari i ardhshëm i BE-së deri në vitin 2028. Jemi të vetëdijshëm se është një qëllim ambicioz, por unë vërtet besoj se është i arritshëm", tha Milatoviq.
Ai tha se, në kohë sfidash gjeopolitike, politika e zgjerimit mund të jetë një nga politikat kryesore të BE-së dhe një demonstrim i forcës së Unionit.
Ai tha se beson që në Konferencën e ardhshme Ndërqeveritare, Mali i Zi do të mbyllë kapituj të rinj dhe do të arrijë përparim edhe më të madh në rrugën e tij evropiane deri në fund të vitit.
Siç theksoi Millatoviqit, Mali i Zi që nga fillimi është përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.