Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, është shprehur optimist se bisedimet e sotme të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë në Istanbul mund të hapin rrugën për një fillim të ri.
"Tani, pas tre vitesh vuajtjesh, më në fund hapet një dritare mundësie", tha Fidan në një fjalim përshëndetës në hapjen e një takimi joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s.
"Bisedimet në Istanbul, shpresojmë, mund të hapin një kapitull të ri", tha Fidan.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për të krijuar një rrjet të sigurisë në të gjithë NATO-n që do të shtrihet nga shteti amerikan Teksas deri në kryeqytetin turk Ankara.
Në fjalimin e hapjes së ngjarjes, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përsëriti "rëndësinë" e takimit dhe nevojën për të diskutuar si të forcohet aleanca në mënyrë që askush të mos guxojë ta sulmojë atë.
"Duhet të diskutojmë si të sigurohemi që NATO të jetë e fortë. Kjo do të thotë më shumë shpenzime për mbrojtjen. Kjo do të thotë më shumë prodhim industrial të mbrojtjes, por edhe si të sigurohemi që NATO është e drejtë, që ne ta shpërndajmë barrën në mënyrë të barabartë midis aleatëve", tha Rutte.
“Privilegj të presësh takimin e NATO-s”
Mes të tjerash Fidan tha se "Si Türkiye, ndihemi shumë të privilegjuar që jemi mikpritës të këtij takimi të rëndësishëm (Takimi joformal i ministrave të Jashtëm të NATO-s), veçanërisht në këtë kohë shumë të rëndësishme dhe të veçantë".
Fidan dha një deklaratë për media në ditën e dytë të Takimit joformal të ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt në Qendrën e Kongreseve NEST në qytetin e Antalyas.
"Si Türkiye, ndihemi shumë të privilegjuar që mbajmë këtë takim të rëndësishëm, veçanërisht në këtë kohë shumë të rëndësishme dhe të veçantë", tha kryediplomati turk.
Ai theksoi se në rajonin euroatlantik kanë ndodhur shumë zhvillime të rëndësishme dhe se si partnerë të NATO-s, ata do të diskutojnë për bashkëpunimin në mbrojtje dhe sigurimin e paqes në Ukrainë.
Fidani deklaroi se do të bëjnë përgatitje për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Hagë të Holandës në qershor.