Këshilltari i udhëheqësit iranian Ali Khamenei, Ali Shamkhani tha se janë të gatshëm të bëjnë marrëveshje bërthamore me ShBA-në me kusht që të hiqen sanksionet ekonomike.
Lidhur me negociatat ShBA-Iran për armët bërthamore, Shamkhani për NBC News tha se në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, Irani do të zotohet të mos prodhojë armë bërthamore, do të eliminojë rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të larë, do të pranojë pasurimin e uraniumit në nivele më të ulëta për përdorim civil dhe do të lejojë vëzhguesit ndërkombëtarë të mbikëqyrnin procesin.
Ai tha se Irani nuk do të heqë dorë nga aktivitetet për pasurimin e uraniumit. "Pasurimi i uraniumit është çështje nga e cila Irani nuk do të heqë dorë. Megjithatë, për të ndërtuar besim, niveli ose sasia mund të ndryshohet për një kohë", tha Shamkhani.
Këshilltari iranian tha se janë të shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të përpiqet të prishë procesin e negociatave Iran-ShBA përmes lobeve në Washington. "Nëse amerikanët eliminojnë ndikimin e Netanyahut, ata mund ta nënshkruajnë lehtësisht marrëveshjen bërthamore me Iranin", shtoi Shamkhani.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump foli për negociatat bërthamore me Iranin në Samitin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC)-SHBA që u mbajt në Riad gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite.
"Dua të bëj një marrëveshje me Iranin", tha Trump në fjalimin e tij.
"Por, për ta bërë këtë, Irani duhet t'i japë fund mbështetjes së tij për terrorizmin dhe luftërat e tij të përgjakshme me ndërmjetës. Më e rëndësishmja, Irani duhet të ndalojë plotësisht, përgjithmonë dhe në mënyrë të verifikueshme punimet për armët bërthamore", tha presidenti amerikan.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha se bisedimet mbi çështjen bërthamore me Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë do të mbahen në Stamboll më 16 maj.