Trump viziton Emiratet për ta forcuar bashkëpunimin në inteligjencën artificiale dhe mbrojtje.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka nisur një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe që pritet ta thellojë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës artificiale, pas një ndalese në Katar ku përshëndeti planet e Dohas për të investuar 10 miliardë dollarë në një objekt ushtarak amerikan.
Para se të nisej drejt Emirateve, Trump mbajti një fjalim për trupat amerikane në bazën ajrore Al Udeid, në jugperëndim të Dohas, ku njoftoi se blerjet e mbrojtjes të nënshkruara nga Katari të mërkurën kapin vlerën prej 42 miliardë dollarësh.
Më pas, të enjten, ai udhëtoi drejt Abu Dhabit, ku u prit në aeroport nga Presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Dy liderët vizituan së bashku Xhaminë e Madhe Sheikh Zayed, minaret dhe kupolat e bardha të së cilës shkëlqenin në dritën e pasdites.
“Është vërtet e bukur”, u tha Trump gazetarëve brenda xhamisë, e cila sipas tij ishte mbyllur për publikun atë ditë. “Është hera e parë që mbyllet. Është në nder të Shteteve të Bashkuara. Më mirë për vendin sesa për mua. Le t’ia japim nderin vendit. Është një tribut i madh.”
Liderët e Emirateve synojnë mbështetjen amerikane për ta kthyer vendin e tyre të pasur në një qendër globale të inteligjencës artificiale.
Sipas agjencisë Reuters, ShBA-ja ka një marrëveshje paraprake me Emiratet që do t’i lejojë këto të fundit të importojnë 500,000 çipa të avancuar të kompanisë Nvidia çdo vit, duke filluar nga ky vit. Marrëveshja do të përshpejtojë ndërtimin e qendrave të të dhënave në Emirate, thelbësore për zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Megjithatë, kjo marrëveshje ka ngjallur shqetësime për sigurinë kombëtare në disa segmente të qeverisë amerikane dhe kushtet mund të ndryshojnë, sipas burimeve të afërta me çështjen.
Një tjetër zhvillim kyç është finalizimi i një marrëveshjeje kuadër për teknologjinë ndërmjet dy vendeve, e cila pritet të nënshkruhet më vonë gjatë së enjtes. Një burim i njohur me çështjen tha për Reuters se marrëveshja do të përfshijë angazhime nga të dyja palët për sigurinë e teknologjisë, pa dhënë menjëherë detaje të tjera.