Türkiye do të vazhdojë të zgjerojë investimet dhe lidhjet tregtare me Uzbekistanin, deklaroi të enjten Zëvendëspresidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz.
“Aktualisht kemi afro 1.900 kompani turke që operojnë në Uzbekistan. Investimet e tyre kanë arritur në 5,6 miliardë dollarë. Ato punësojnë mijëra njerëz, eksportojnë dhe kontribuojnë në financat publike përmes taksave. Shpresojmë që numri i tyre të rritet”, tha Yılmaz në Forumin e Biznesit Türkiye-Uzbekistan, të mbajtur në Tashkent.
Ai theksoi lidhjet e thella historike dhe kulturore midis dy vendeve, duke thënë se urat e vëllazërisë të ndërtuara nga paraardhësit e tyre përgjatë Rrugës së Mëndafshit janë shndërruar në themele të qëndrueshme në epokën moderne.
Yılmaz tha se marrëdhënia e sinqertë dhe e bazuar në besim midis Presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, ka qenë çelësi për përparimin e bashkëpunimit dypalësh, duke ofruar një bazë të fortë për bashkëpunim përmes udhëheqjes së tyre.
Ai shtoi se Takimi i 8-të i Komisionit të Përbashkët Ekonomik (JEC) ka përfunduar me sukses dhe se vendimet e marra përfshijnë si institucionet publike, ashtu edhe sektorin privat. Sipas tij, Marrëveshja për Tregti Preferenciale do të zgjerohet për të përfshirë më shumë produkte dhe për të rritur volumin tregtar.
Yılmaz theksoi se planifikojnë gjithashtu të përmirësojnë transportin rrugor bilateral dhe tranzit pa kërkesë për leje tranziti, duke shtuar se harmonizimi i infrastrukturës burokratike dhe fizike, si dhe reduktimi i kostove, do ta forcojnë konkurrueshmërinë e sektorit privat.
Zëvëndëspresidenti theksoi se bashkëpunimi strategjik mes Türkiyes dhe Uzbekistanit nuk duhet të kufizohet vetëm në industri dhe bujqësi, por të shtrihet edhe në ndërtimin e partneriteteve më gjithëpërfshirëse në fushën e turizmit.
Türkiye renditet e katërta në botë për nga turizmi dhe është e gatshme ta ndajë përvojën në këtë fushë, tha ai.
Sipas tij, kujdesi shëndetësor, bujqësia dhe industria ushqimore janë fusha kyçe për bashkëpunimin ndërmjet Türkiyes dhe Uzbekistanit. Ai vuri në dukje se edhe pse tregtia ka arritur në 3 miliardë dollarë, ajo mbetet nën potencialin e plotë, me një objektiv prej 5 miliardë dollarësh të vendosur nga udhëheqësit.
Zëvendëspresidenti shtoi se sektori privat dhe kompanitë do të jenë forca lëvizëse e këtij rritjeje, ndërsa qeveria do të krijojë një mjedis mbështetës për të arritur fillimisht 5 miliardë dollarë dhe më pas 10 miliardë.