Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Feridun Sinirlioğlu, po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që është takuar me presidentin Bajram Begaj, kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe kryeministrin Edi Rama.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, Begaj vlerësoi rolin e OSBE-së për paqen dhe sigurinë.
"Begaj theksoi se vlerat që na bëjnë bashkë në organizatë janë respektimi i të drejtave themelore të njeriut, demokracisë dhe lirisë së shprehjes. Kreu i shtetit vlerësoi rolin që OSBE-ja ka për paqen dhe sigurinë", thuhet në njoftim.
Gjithashtu, thuhet se presidenti Begaj vlerësoi punën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, "e cila për më shumë se tri dekada ka sjellë ndryshime thelbësore në proceset e demokratizimit të vendit, reformave ligjore, sundimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës bazuar në vlerat e lirisë".
"Në kontekstin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, presidenti i Republikës vlerësoi rolin që OSBE-ja ka dhënë nëpërmjet misionit vëzhgues të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), duke theksuar, gjithashtu, edhe mirënjohjen për asistencën e dhënë përgjatë gjithë proceseve zgjedhore në Shqipëri përmes vëzhgimit dhe rekomandimeve të reformës elektorale", thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se në takim, Spiropali vlerësoi bashkëpunimin e Prezencës së OSBE-së me Kuvendin e Shqipërisë.
"Shqipëria ka shpallur si objektiv strategjik anëtarësimin në BE brenda viti 2030. Anëtarësimi i Shqipërisë do të ketë një ndikim pozitiv për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke pasur rolin dhe kontributin e Shqipërisë si një faktor zhvillimi, integrimi e stabiliteti në rajon. Organizimi në Tiranë i Samitit të Komunitetit Politik Evropian është tregues i progresit të Shqipërisë drejt integrimit evropian si edhe i prestigjit të lartë dhe rolit të saj të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Spiropali.
Gjithashtu, theksohet se Spiropali e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Sinirlioğlu për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe nënvizoi se "Kuvendi do t’i analizojë me kujdes gjetjet dhe rekomandimet e misionit të OSBE/ODIHR-it".
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Sinirlioğlu, do të marrë pjesë edhe në punimet e Samitit të Komunitetit Politik Evropian.