RAJONI
3 minuta leximi
Mickoski-Costa: Rruga e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE "e vështirë"
"Fakt është se këtë rrugë e kanë ecur edhe kombet e tjera, që tani janë pjesë e familjes evropiane, por qytetarët e këtij vendi kanë ecur dhe po ecin rrugën më të vështirë", tha Mickoski.
Mickoski-Costa: Rruga e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE "e vështirë"
Mickoski-Costa: Rruga e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE "e vështirë" / AA
15 Maj 2025

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka deklaruar se rruga për anëtarësim të plotë të vendit të tij në Bashkimin Evropian (BE) është "frustruese, e vështirë dhe sfiduese".

Pas takimit me presidentin e Këshillit të Evropës, i cili qëndron për vizitë në Shkup, Micksoski në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për media tha se angazhimi ndaj procesit të integrimit evropian të vendit të tij do të mbetet dhe do të forcohet në periudhën në vijim, sepse siç tha "besojmë se e ardhmja e qytetarëve maqedonas qëndron brenda kornizës së familjes evropiane".

"(Vizita e Costa-s) nuk është vetëm konfirmim i bashkëpunimit tonë të thellë diplomatik, por një akt i vërtetë i vëmendjes, mbështetjes dhe interesit për të ardhmen e të gjithë Ballkanit Perëndimor që së shpejti të jetë pjesë e BE-së", tha Mickoski.

Ai theksoi se rruga për anëtarësim të plotë në BE është "frustruse, e vështirë dhe sfiduese" dhe shtoi se qytetarët e vendit të tij ndoshta kanë ecur "rrugën më të vështirë" për t'u anëtarësuar në BE.

"Fakt është se këtë rrugë e kanë ecur edhe kombet e tjera, që tani janë pjesë e familjes evropiane, por qytetarët e këtij vendi, një nga vendet më të pakta në zemër të Ballkanit dhe në Evropë, kanë ecur dhe po ecin rrugën më të vështirë, nëse mund të themi se (akoma) po e ecin, sepse jemi në të njëjtin vend ku ishim 20 vite më parë", tha Mickoski.

Për këtë ngecje, Mickoski me sa duket i referohej çështjes së pazgjidhur me Bullgarinë, e cila në nëntor të vitit 2020 vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, për shkak të kontestit rreth historisë dhe gjuhës si dhe kërkesës për të drejtat e komunitetit bullgar në Maqedoni të Veriut.

Costa, nga ana e tij, tha se përshëndet punën e shkëlqyer që është bërë nga Maqedonia e Veriut dhe qeveria e vendit në aspektin e agjendës së reformave si dhe progresin që tashmë ishte arritur.

"Unë fuqishëm besoj i se zgjerimi është qëllimi i përbashkët që ndajmë dhe ky është investimi më i mirë gjeostrategjik në paqe, siguri dhe stabilitet që të gjithë mund ta bëjmë", tha Costa.

Kreu i Këshillit të Evropës gjithashtu theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, sot qëndron për vizitë në Shkup në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përveç me kryeministrit Mickoski ai u takua edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Më herët, Costa vizitoi Sarajevën, Beogradin dhe Prishtinën, ndërsa pas Shkupit do të udhëtojë për në Tiranë. Qëllimi i vizitës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas Këshillit të Evropës, është konfirmimi i BE-së ndaj rajonit dhe perspektivës së vendeve të rajonit për anëtarësim në bllok.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us