Gjatë muajit prill Kalaja e Gjirokastrës priti numër të lartë vizitorësh ndërsa rritje reflektohet edhe në shifrat e katërmujorit.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, vizitat turistike në Kalanë e Argjirosë kanë ardhur duke u rritur krahasuar me shifrat e një viti më parë.
Llogaritet që Kalaja e Gjirokastrës priti 18.738 vizitorë gjatë periudhës janar-prill 2025, ose 19 për qind vizitorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kalaja mbetet atraksioni kryesor i qytetit të Gjirokastrës. Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë, vazhdon të mbetet objekti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.