Të paktën 14 palestinezë, përfshirë edhe një foshnjë, janë vrarë në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës nga disa sulme izraelite në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Një burim mjekësor për agjencinë Anadolu deklaroi se 11 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur kur avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë e familjes Al-Bayram në qytetin Khan Younis.
Në një vend tjetër në të njëjtin qytet, forcat izraelite granatuan një çadër ku ishin strehuar persona të zhvendosur, pranë qytetit Asdaa, në perëndim të Khan Younisit, ku u vra një foshnjë palestineze.
Në dy sulme të ndara ajrore, dy persona të tjerë, përfshirë një grua, u vranë kur avionët izraelitë goditën çadra në zonën Al-Mahatta dhe në qytetin Bani Suheila, ku gjithashtu ishin strehuar familje të zhvendosura.
Dëshmitarë për Anadolu thanë se automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr pranë vijës ndarëse kryesore midis Rafahut dhe Khan Younisit në jug.
Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 52.400 palestinezë janë vrarë në ofensivën brutale izraelite në Gaza, ndërsa shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi në nëntorin e kaluar një urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në këtë enklavë.