Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, në kuadër të një takimi të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje midis vendit dhe bllokut evropian.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, takimi zyrtarisht u hap nga ministri Mucunski, i cili në fjalën e tij theksoi vendosmërinë dhe përkushtimin e fortë të vendit të tij për të qenë partner i besueshëm i BE-së dhe NATO-s në adresimin e sfidave të sigurisë në mjedisin kompleks gjeopolitik.
"Si shtet, ne mbetemi plotësisht në linjë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Përafrimi ynë 100 për qind nuk është vetëm një detyrim teknik, por gjithashtu një pasqyrim i qartë i orientimit tonë strategjik dhe vlerave të përbashkëta. Ne i mbështesim të gjitha përpjekjet ekzistuese për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropë, duke mbetur konsistent në ndarjen e barrës së përbashkët duke vazhduar mbështetjen për Ministrinë tonë të Mbrojtjes, duke përfshirë mbështetjen e përgjithshme për Ukrainën”, tha Mucunski.
Nëpërmjet një dialogu të hapur dhe konstruktiv, të dyja palët shkëmbyen mendime mbi çështjet e sigurisë rajonale dhe luftën në Ukrainë. Po ashtu, u theksua rëndësia e stabilitetit rajonal dhe roli i Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s dhe kandidate në BE, në forcimin e arkitekturës evropiane të sigurisë.
Në këtë takim u dha edhe një pasqyrë e aktiviteteve që lidhen me pjesëmarrjen e vendit në misione dhe operacione në kuadër të “politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes”, si dhe aktivitetet e vazhdueshme për adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe hibride, komunikimin strategjik, luftimin e dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, si dhe pjesëmarrjen e grave në këto procese.
Në hapjen e takimit të dialogut në kuadër të partneritetit Maqedoni e Veriut-BE, folën edhe zyrtarja e lartë Kallas dhe ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski.
Sipas ministrisë maqedonase, ky dialog i parë për siguri dhe mbrojtje midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së shënoi fillimin e konsultimeve të rregullta politike dhe të ekspertëve, të cilat do ta mundësojnë monitorimin e zbatimit të partneritetit dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve.
Kallas sot qëndron për vizitë në Maqedoni të Veriut, ku ka zhvilluar takime me krerët shtetërorë, ndërsa gjatë dy ditëve të kaluara vizitoi edhe Serbinë dhe Kosovën.