RAJONI
2 minuta leximi
Kurti me Kallas: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, Serbia të përgjigjet për sulmin në Banjskë
Në lidhje me procesin e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Kurti me Kallas: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, Serbia të përgjigjet për sulmin në Banjskë
Kurti me Kallas: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, Serbia të përgjigjet për sulmin në Banjskë / AA
16 orë më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti i ka uruar mirëseardhje kryediplomates evropiane dhe e ka falënderuar për vizitën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Kurti dhe Kallas kanë diskutuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes.

Kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të BE-së, ka bërë progres të konsiderueshëm në reformat e brendshme, dhe se kjo theksohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së.

Ai e ka falënderuar përfaqësuesen Kallas për njoftimin se BE-ja ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa ka shtuar se ato duhet të hiqen plotësisht dhe ka theksuar që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë darkës së shtruar nga kryeministri, gjithashtu është diskutuar edhe për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë.

Në lidhje me procesin e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Ndërkohë, ai ka rikujtuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se i akuzuari si kryeterrorist Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti gjithashtu ka ngritur çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga Serbia dhe ka kërkuar që BE-ja të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës.

Kallas nisi një turne Ballkanin Perëndimor dy ditë më parë, duke vizituar Serbinë dhe Kosovën, ndërsa sot ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us