Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, të njohura kolektivisht si E3, kërkuan të premten një rikthim të menjëhershëm të armëpushimit në Gaza, duke i bërë thirrje Izraelit ta respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe ta lejojë hyrjen e menjëhershme të ndihmave humanitare.
“Rifillimi i sulmeve izraelite në Gaza përfaqëson një hap dramatik prapa për popullin e Gazës, pengjet, familjet e tyre dhe të gjithë rajonin,” thuhet në një deklaratë të përbashkët të tre vendeve.
“Jemi të tmerruar nga viktimat civile dhe kërkojmë me urgjencë një kthim të menjëhershëm të armëpushimit”, shtohet më tej.
Të gjitha palët bënë thirrje t'i rifillojnë negociatat për ta siguruar zbatimin e plotë dhe të përhershëm të armëpushimit, i cili duhet ta përfshijë edhe lirimin e të burgosurve izraelitë.
Deklarata theksoi se të gjithë izraelitët dhe palestinezët kanë të drejtën për paqe dhe siguri, duke nënvizuar se konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake.
“Një rikthim i luftimeve do të rezultojë vetëm në vdekjen e më shumë civilëve palestinezë dhe pengjeve izraelite,” thuhet në deklaratë.
“I bëjmë thirrje Izraelit të rikthejë aksesin humanitar, duke përfshirë furnizimin me ujë dhe energji elektrike, dhe të sigurojë akses në kujdesin mjekësor dhe evakuimet e përkohshme mjekësore, në përputhje me ligjin humanitar ndërkombëtar”, shtohet më tej.
Deklarata gjithashtu nënvizoi se "duhet të ketë një hetim të plotë mbi atë që ndodhi" gjatë sulmit izraelit ndaj ndërtesës së OKB-së.
Vendet shprehën "tronditje të thellë" për sulmin izraelit ndaj shtëpisë së miqve të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në qendër të Gazës, ku u vra një punonjës dhe u plagosën disa të tjerë, duke theksuar se mes viktimave kishte edhe qytetarë evropianë.
Deklarata tha: “Personeli dhe objektet e OKB-së duhet të mbrohen dhe të mos jenë kurrë një shënjestër. Duhet të kryhet një hetim i plotë mbi atë që ndodhi. Një armëpushim i gjatë është e vetmja rrugë e besueshme drejt një paqeje të qëndrueshme, një zgjidhjeje me dy shtete dhe rindërtimit të Gazës.”
Më shumë se 700 palestinezë u vranë dhe mbi 1.000 të tjerë u plagosën gjatë një fushate ajrore të papritur nga Izraeli mbi Gazën që nga e marta, duke shkatërruar një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të burgosurish që ishte në fuqi që nga janari.
Ky përshkallëzim përfaqëson shkeljen më të madhe të marrëveshjes së armëpushimit, të cilën Izraeli nuk ka arritur ta zbatojë plotësisht, veçanërisht fazën e dytë që duhej të fillonte pas përfundimit të fazës së parë në fillim të marsit.