Në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës u krye sot fluturimi i parë certifikues.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas autoriteteve, ky aeroport do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Projekti po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe kargo e mirëfilltë.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3,2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës, e veçanërisht turizmit në Shqipëri.
Ai është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike.