Muzeu Kombëtar i Katarit në kryeqytetin Doha, i frymëzuar nga kristali i "trëndafilit të shkretëtirës" tërheq vizitorët me arkitekturën, përmbajtjen dhe përvojën që ofron.
I projektuar nga arkitekti francez Jean Nouvel dhe i hapur në vitin 2019 nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, muzeu ka një sipërfaqe prej afërsisht 140 mijë metrash katrorë.
Muzeu përshtatet me kushtet mjedisore dhe ofron estetikë unike me strukturën e përbërë nga disqe të valëzuara dhe të ndërlidhura, të frymëzuara nga kristalet natyrale të "trëndafilit të shkretëtirës".
Strukturë moderne që ngrihet rreth pallatit historik
Muzeu u ndërtua rreth pallatit historik i cili më parë ka shërbyer si rezidencë dhe qendër qeveritare e Emirit të Katarit, Sheikh Abdullah bin Jassim Al Thani. Në këtë aspekt, ndërtesa ka vazhdimësi historike.
Muzeu i përbërë nga gjithsej 11 salla paraqet historinë e Katarit përmes një rrëfimi periodik.
Kjo strukturë i shpie vizitorët në një udhëtim nga periudha para vendbanimit të gadishullit deri në ditët e sotme dhe madje edhe në të ardhmen. Çdo sallë u ofron vizitorëve përvojë me shumë ndjeshmëri me tingujt, aromat, dritat dhe dizajnet e veta unike.
Në koleksionin e muzeut ndodhen shumë objekte me vlerë, nga objekte arkeologjike e deri te sendet tradicionale, nga dorëshkrimet e rralla deri te bizhuteritë.
Një nga veprat më mbresëlënëse është "Qilimi Baroda" i projektuar në vitin 1865, që njihet si një vepër e rrallë arti e zbukuruar me më shumë se 1,5 milion perla, smeralde, diamante dhe rubinë.
Çmimi i "Mollës së Gjelbër"
Muzeu tërheq vëmendjen jo vetëm me koleksionin që ekspozon, por edhe me arkitekturën e qëndrueshme. Muzeu është vlerësuar me certifikata të rëndësishme mjedisore, të tilla si "LEED Gold" (Certifikata e Artë për Lidership në Energji dhe Dizajn Mjedisor) dhe "GSAS 4 Stars".
Përveç kësaj, muzeu është vlerësuar në vitin 2022 i denjë për çmimin "Molla e Gjelbër" dhe dy çmime në kuadër të "Çmimeve për Destinacionet Kulturore Kryesore" në vitin 2020.
Muzeu Kombëtar i Katarit, struktura e parë që vizitorët hasin kur mbërrijnë nga aeroporti ndërkombëtar "Hamad" në jug të Dohas, është bërë një nga simbolet e vendit, duke bashkuar kulturën, historinë dhe dizajnin bashkëkohor.