RAJONI
5 minuta leximi
Tre muaj nga dita e zgjedhjeve, Kosova ende pa formimin e institucioneve të reja
Për afërsisht gjysmën e këtij tremujori e harxhoi procesi i numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri në certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve, më 27 mars 2025
Tre muaj nga dita e zgjedhjeve, Kosova ende pa formimin e institucioneve të reja
Tre muaj nga dita e zgjedhjeve, Kosova ende pa formimin e institucioneve të reja / AA
13 orë më parë

Edhe kur kanë kaluar tre muaj të plotë nga data 9 shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme të rregullta në Republikën e Kosovës, formimi i institucioneve të reja të larta shtetërore ende nuk ka ndodhur, raporton Anadolu.

Por, çfarë ndodhi brenda këtyre tre muajve?

Për afërsisht gjysmën e këtij tremujori e harxhoi procesi i numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri në certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve, më 27 mars 2025.

Rezultati i zgjedhjeve, nuk e ndryshoi radhitjen e partive nga zgjedhjet paraprake, rrjedhimisht, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli e para me 42,3 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e dyta me 20,95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 18,27 për qind, koalicioni AAK-Nisma me 7,06 për qind dhe Lista Serbe me 4,26 për qind.

Në fillim të muajit prill, ashtu siç i takon me Kushtetutë, presidentja Vjosa Osmani e caktoi 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive, por seanca dështoi, pasi që nuk u bënë votat e mjaftueshme për miratimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve të rinj.

Pas këtij dështimi, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, pyeti presidenten Osmani se si të vazhdohet pas ndërprerjes së seancës. Presidentja Osmani tha se seanca sipas Kushtetutës duhet të vazhdohet brenda jo më larg se 48 orëve.

Vetëm katër ditë pas seancës së parë, më 19 prill, Kuvendi arriti t'i legjitimojë pozitat e 120 deputetëve dhe pas kësaj, për tre javë me radhë, seancat po dështojnë në pikën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit çdo 48 orë. Zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit do t’i hapte rrugë më pas edhe në formimit të qeverisë së re.

Që nga 15 prilli deri më sot, seancat kanë zgjatur jo më shumë se 5 minuta. Kryesuesi Dehari thërret partinë më të madhe, së cilës edhe i takon, LVV, ta propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës, ata propozojnë Albulena Haxhiun dhe ajo dështon në votim për shkak të mungesës së votave, apo në mungesë të 61 votave, sa i duhen minimalisht.

Deri më tani, LVV, e mbështetur edhe nga radhët e deputetëve që vijnë nga komunitetet joshumicë, sado që ka kërkuar mbështetje edhe nga partitë tjera, nuk e ka kapërcyer numrin e 57 votave për ta votuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

Partia e dytë më e madhe, PDK-ja, vazhdimisht ka kërkuar nga LVV-ja që ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar, ndryshe nuk do ta ketë mbështetjen e saj. Por, LVV-ja e ka quajtur këtë si të padrejtë, për shkak se kjo do të hapte rrugë që më pas edhe LVV të shprehte mospëlqim për kandidatët e partive të tjera për nënkryetarë të Kuvendit.

Zhbllokim i situatës apo zgjedhje të reja?

Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje, duke ditur që i mungojnë 61 votat e nevojshme për pozitën e kryeparlamentarit, ka ftuar për konsultim politik partitë tjera, por, atyre iu përgjigj vetëm Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës, Memli Krasniqi tha se nuk kanë lëvizur nga kërkesa për ndryshim të emrit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Pas këtij takimi pa rezultat me Krasniqin e PDK-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti, e ndryshoi metodën, duke iu drejtuar me një letër/ftesë kreut të LDK-së, për koalicion qeverisës.

Në një konferencë për media pasi mblodhi kryesinë e partisë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se refuzojnë të bashkëqeverisin me Lëvizjen Vetëvendosje, por propozuan një ide të re, një qeveri tranzicionale.

Sipas Abdixhikut, qeveria tranzicionale do të zgjasë deri në kohën e zgjedhjes së presidentit të ri, vitin e ardhshëm dhe kjo qeveri do të përfshijë gjitha partitë shqiptare të Kuvendit të Kosovës.

Por, as kjo ide nuk gjeti mbështetjen e partive tjera shqiptare, LVV-së, e cila e konsideroi si injorim të vullnetit të qytetarëve këtë ide ndërsa edhe PDK-ja dhe AAK-ja e kundërshtuan atë.

Madje, idenë e Abdixhikut, në një deklarim të përbashkët, e kundërshtuan edhe deputetët nga radhët e minoriteteve në Kosovë, Elbert Krasniqi, Emilja Rexhepi, Fikrim Damka dhe Nenad Rashiq duke thënë se një qeveri vetëm me parti shqiptare "nuk është në përputhje me frymën multietnike të Kosovës".

Megjithëse kundërshtimet janë ato që kanë qenë më të zëshme gjatë këtyre javëve në politikën kosovare, çështja e zgjedhjeve është përmendur me zë më të vogël dhe është thënë se ato janë opsioni i fundit.

Nga LVV kanë thënë se nuk janë për "skenarin e fundit" që do të ishin zgjedhjet e reja, derisa nga PDK-ja kanë thënë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, nëse LVV-ja nuk di të dalë nga kjo bllokadë.

Në vjeshtën e këtij viti në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja lokale, por, presidentja e vendit së shpejti pritet ta caktojë edhe datën e tyre. Derisa, në prill të vitit të ardhshëm skadon mandati i presidentes Osmani dhe më pas Kuvendi zgjedh presidentin e ri.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us