Ministri indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh, tha se "Operacioni Sindoor" i nisur kundër Pakistanit është një "operacion në vazhdim", në takimin e realizuar me të gjitha palët në vend.
"Singh tha në takim se është një operacion në vazhdim, prandaj nuk është e drejtë të jepet një informim dhe prezantim i çdo incidenti në lidhje me operacionin", tha Ministrja e Çështjeve Parlamentare Kiren Rijiju pas deklaratës së Singh.
Rijiju tha se të gjithë i përgëzuan forcat e armatosura për Operacionin Sindoor, duke shtuar se ata do të "mbështesnin qeverinë dhe forcat e armatosura".
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Pakistani ndaj deklaratës së shefit të mbrojtjes indiane.
Takimi i Singh me partitë politike indiane erdhi ndërsa Kryeministri Narendra Modi kryesoi një takim të nivelit të lartë me zyrtarë nga ministri dhe departamente të ndryshme për të shqyrtuar "gatishmërinë kombëtare dhe koordinimin ndërministror" në dritën e zhvillimeve të fundit "në lidhje me sigurinë kombëtare".
Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit u përshkallëzuan këtë javë pasi India nisi "Operacionin Sindoor" të martën vonë në mbrëmje, duke thënë se goditi "infrastrukturën terroriste" në nëntë lokacione në Pakistan. Zyrtarët indianë thanë se Nju Delhi kishte ushtruar "të drejtën e tij për t'iu përgjigjur dhe për të parandaluar, si dhe për të penguar sulme të mëtejshme ndërkufitare".
Ushtria pakistaneze tha se 31 persona u vranë në sulmet me raketa indiane dhe të shtënat ndërkufitare në Kashmirin e administruar nga Pakistani.
Sipas zyrtarëve indianë, 13 persona dhe një ushtar indian janë vrarë në të shtëna ndërkufitare përgjatë Vijës së Kontrollit (LoC), kufiri de facto që ndan rajonin e kontestuar të Himalajeve midis dy rivalëve të përbetuar, në Kashmirin e administruar nga India.
Tensionet midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore u ngritën pas një sulmi të 22 prillit në Pahalgam, në Kashmirin e administruar nga India, ku mbetën të vrarë 26 persona.
India fajësoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se kishte lidhje ndërkufitare. Pakistani ka mohuar përfshirjen dhe ka bërë thirrje për një hetim neutral.
Pakistani tha se kishte rrëzuar pesë aeroplanë indianë dhe u zotua se do të hakmerrej. Nuk pati asnjë përgjigje zyrtare nga Nju Delhi.
Zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif Chaudhry, tha të enjten se forcat ushtarake kishin rrëzuar 25 dronë indianë Harop gjatë natës, duke e quajtur lëshimin e dronit një "provokim serioz". Ai tha se një civil u vra dhe katër ushtarë pakistanezë u plagosën në sulmet me dronë.