Qindra mijëra palestinezë po hanë vetëm një vakt çdo dy ose tre ditë për shkak të bllokadës izraelite të Rripit të Gazës, tha të martën agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
“Më shumë se 66.000 fëmijë në Gaza vuajnë nga kequshqyerja e rëndë”, tha zëdhënësi i UNRWA-së, Adnan Abu Hasna, në një intervistë me televizionin Al-Ghad.
Që nga 2 marsi, Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet e Gazës për ndihma ushqimore, mjekësore dhe humanitare, duke e thelluar krizën humanitare në enklavë.
Të dhënat e publikuara nga zyra e medias e qeverisë së Gazës treguan se të paktën 57 palestinezë kanë vdekur nga uria që nga tetori i vitit 2023.
Sipas Bankës Botërore, gati 2,4 milionë njerëz në Gaza jetojnë plotësisht të varur nga ndihma humanitare.
“UNRWA-ja nuk do të jetë pjesë e planit të ri izraelit”, për shpërndarjen e ndihmave në Gaza, sepse plani “nuk i përmbahet aspak standardeve të OKB-së”, tha Abu Hasna.
Të dielën në mbrëmje, kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për të shpërndarë ndihma në enklavën e bllokuar nëpërmjet kontraktorëve privatë të sigurisë.
Megjithatë, OKB-ja dhe dhjetëra grupe ndërkombëtare ndihme e kanë hedhur poshtë planin, duke thënë se ai shkon kundër parimeve humanitare, është logjistikisht i parealizueshëm dhe mund të rrezikojë civilët dhe personelin palestinez.
Ekipi humanitar i OKB-së në Gaza tha të dielën në mbrëmje se "mund të mbështesë vetëm plane që respektojnë parimet humanitare të njerëzimit, neutralitetit, pavarësisë dhe paanshmërisë".
Më shumë se 52.500 palestinezë janë vrarë në Gaza në një ofensivë brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavën palestineze.