Gjykatësja federale Allison Burroughs në Boston pranon të ndalojë përkohësisht vendimin derisa të dëgjojë argumente të mëtejshme.
Një gjykatëse amerikane bllokoi përkohësisht të premten përpjekjen e administratës Trump për t’i hequr Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë.
Gjykatësja federale Allison Burroughs, me qendër në Boston, ra dakord të ndalojë përkohësisht vendimin, derisa të marrë argumente të mëtejshme.
Vendimi erdhi menjëherë pasi Universiteti Harvard paditi administratën Trump.
“Ne sapo kemi paraqitur një padi dhe një kërkesë për ndalim të përkohshëm do të pasojë. Ndërsa ndjekim rrugët ligjore, do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbështetur studentët dhe studiuesit tanë,” tha presidenti i universitetit, Alan M. Garber, në një letër.
Revokimi, i shpallur të enjten nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, i heq Harvardit certifikimin në kuadër të Programit të Studentëve dhe Shkëmbimeve (SEVP), duke prekur mbajtësit e vizave F dhe J.
“Po ju informoj se me efekt të menjëhershëm, certifikimi i Universitetit Harvard në kuadër të Programit të Studentëve dhe Shkëmbimeve është i revokuar”, thuhej në letrën e Noem.
Administrata Trump mund të apelojë vendimin e gjykatëses Burroughs.