Kryeministri serb Gjuro Macut u takua sot me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, me të cilën bisedoi në lidhje me vazhdimin dhe mundësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Serbisë si dhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
Macut theksoi orientimin e qartë evropian të Serbisë, duke e nënvizuar nevojën për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit.
Duke shprehur bindjen e tij se hapat konkretë në këtë rrugë do të diskutohen së shpejti, siç është hapja e grupkapitullit të tretë, i cili është pritur prej tre vitesh, ai tha se Serbia është plotësisht e përkushtuar ndaj proceseve të reformave që synojnë harmonizimin me kriteret e BE-së dhe e vetëdijshme për rëndësinë e reformave, mbi të gjitha, për qytetarët e Serbisë.
Në takim morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Marko Gjuriq, ministri për Integrimin Evropian Nemanja Staroviq, i dërguari special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giofre.