Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të hyjë në fuqi dhe nis nga zbatimi në muajin qershor. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe një numër i lartë shtetasish italianë.
Në një intervistë për ATSh-në, Tresjana Elmazi, përfaqësuese e UIM Albania tha se nga marrëveshja përfitojnë të gjitha ata persona që kanë kontribute të sigurimeve shoqërore si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali.
“Marrëveshja e pensioneve Shqipëri – Itali është një marrëveshje që të gjitha ata qytetarë të cilët kanë jetuar në Itali ose janë rikthyer ose janë ende atje të kenë mundësi, në rast se nuk kanë vite mjaftueshëm për ta plotësuar pragun në Itali 20 vite apo në Shqipëri 15 vite për të marrë një pension minimal, mund të mbledhin të dyja përvojat e tyre të punës në të dyja vendet për të përfituar ‘prorata’ siç quhet metoda e përllogaritjes së viteve për të dyja vendet. Nëse një person ka 10 vite në Shqipëri dhe 10 vite të tjera në Itali, këto vitet bashkohen, por qytetari do të marrë proporcionalisht aq sa ka derdhur kontribute në secilin prej vendeve”, tha Elmazi.
Ajo shtoi se “marrëveshja pritet të hyjë në fuqi një muaj pas shkëmbimit të akteve të ratifikimit mes dy vendeve nga muaji qershor”.
Sipas saj, “për pensionin italian, ne kemi akses të drejtpërdrejtë te Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Itali (IMS) që mund t’i bëjmë nxjerrje dhe verifikim të kontributeve që personi ka derdhur në Itali.
“Për pjesën shqiptare mund të hyjmë në e-Albania dhe të bëjmë verifikimin. Domethënë, mund t’i ndjekim ne të dyja proceset. Dokumentacioni që kërkohet për Italinë janë dokumentet italiane në qoftë se ata kanë pasur leje qëndrimi (permesso di soggiorno) duke qenë se Italia kontributet i ka të digjitalizuara siç i kemi ne pas vitit 2012. Mjafton që ne si zyrë sociale konsulence (patronato) të hyjmë me kodin fiskal që është si numri jonë personal këtu dhe bëjmë verifikimin e viteve atje. Për Shqipërinë normalisht do të nevojitet libreza e punës, çfarëdo lloj dokumenti që vërteton përvojën e tyre këtu. Normalisht edhe dokumentet shqiptare sepse duhet të hyjmë në e-Albania për ta bërë kërkesën dhe verifikimet për pjesën para vitit 2012”, theksoi Elmazi.
Sipas saj, kanë qenë të shumtë personat që kanë shfaqur interes në zyrat e UIM Albania për të mësuar se si funksionon kjo marrëveshje.