LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
OBSh-ja: Të paktën 57 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja në Gaza që nga 2 marsi
Rreziku i urisë në Gaza po rritet për shkak të pengesave të qëllimshme ndaj ndihmës humanitare, thotë zëdhënësi i OBSh-së, duke e përshkruar situatën në Gaza si një nga krizat më të rënda të urisë në botë.
OBSh-ja: Të paktën 57 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja në Gaza që nga 2 marsi
OBSh-ja: Të paktën 57 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja në Gaza që nga 2 marsi / AA
13 Maj 2025

Të paktën 57 fëmijë kanë vdekur nga pasojat e kequshqyerjes në Gaza që nga 2 marsi, kur filloi bllokada izraelite ndaj ndihmës humanitare, njoftoi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), duke e cituar Ministrinë palestineze të Shëndetësisë.

Duke folur në një konferencë shtypi të OKB-së në Gjenevë, Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSh-së për Bregun Perëndimor dhe Gazën, e përshkroi situatën si një nga krizat më të rënda të urisë në botë, e shkaktuar nga pengesat e qëllimshme ndaj ndihmës humanitare, përfshirë ushqimin dhe materialet mjekësore.

Analiza më e fundit e Klasifikimit të Integruar të Fazeve të Sigurisë Ushqimore (IPC) tregoi se e gjithë popullsia e Gazës, rreth 2,1 milionë banorë, është në rrezik kritik për shkak të urisë pas 19 muajsh luftë, zhvendosjeje dhe kufizimesh në ndihmën humanitare.

Nga 1 prilli deri më 10 maj, 93 për qind e popullsisë, pra rreth 1.95 milion banorë, u klasifikuan në fazën "tre" ose më lart të IPC-së, që do të thotë "krizë ose më keq". Kjo përfshin 244.000 persona në fazën “pesë” (katastrofë) dhe 925.000 në fazën “katër” (emergjencë).

“Nëse situata vazhdon, pritet që afër 71.000 fëmijë nën moshën pesë vjeç të përballen me kequshqyerje akute gjatë 11 muajve të ardhshëm,” tha Peeperkorn, duke shtuar se afër 17.000 gra shtatzëna dhe nëna me fëmijë janë gjithashtu në rrezik.

Ai theksoi se njerëzit në Gaza janë të bllokuar në një cikël të rrezikshëm ku kequshqyerja dobëson sistemin imunitar, sëmundjet përhapen shpejt për shkak të mungesës së ujit të pastër dhe kushteve higjieno-sanitare, si dhe qasja në kujdesin shëndetësor është pothuajse e pamundur. Niveli i vaksinimeve ka rënë, ndërsa rreziqet për sigurinë e fëmijëve janë në rritje.

“Pa ushqim të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm, ujë të pastër dhe qasje në shërbime shëndetësore, një e tërë gjeneratë do të pësojë pasoja të përhershme,” paralajmëroi ai, duke përmendur zhvillimin e ngadaltë fizik, dëmtimin e trurit dhe probleme shëndetësore kronike.

Peeperkorn tha se OBSha-ja po përballet me vështirësi për të mbështetur 19 qendra për trajtimin e kequshqyerjes për shkak të mungesës së furnizimeve. Stoku aktual në Gaza mund të trajtojë vetëm 500 fëmijë.

Ai përsëriti thirrjet për ndërprerjen e menjëhershme të bllokadës ndaj ndihmës humanitare, mbrojtjen e shërbimeve shëndetësore, lirimin e të gjitha pengjeve dhe një armëpushim që të çojë drejt paqes së qëndrueshme.

Që nga tetori 2023, në sulmin brutal izraelit mbi Gazë janë vrarë afërsisht 52.900 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us