Pas përfundimit të procesit të shkallës së parë në gjykatë, Milorad Dodik u përball me një krizë të thellë politike, i vetëdijshëm se nuk mund të dilte prej saj i vetëm. Atij i duheshin aleatë që do të merrnin barrën e përgjegjësisë në kuptimin operativ-politik, në mënyrë që fajësia të shpërndahej dhe roli i tij të paraqitej si çështje e një fati kolektiv. Para se çështja gjyqësore të arrinte kulmin, dy drejtorët e mëparshëm të Gazetës Zyrtare të RS-së dhanë dorëheqje për shkak të presioneve politike, duke e izoluar edhe më shumë Dodikun. Kur Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës shpalli aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen penale kundër Dodikut dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare Milosh Lukiq, duke e shpallur Dodikun fajtor, ndërsa Lukiq-in të pafajshëm, Dodiku u gjend në një situatë edhe më të vështirë, pa bashkëpunëtor formal që do të ndante përgjegjësinë juridike me të. Megjithatë, vakumi politik që u krijua nuk zgjati shumë. Kryeministri Radovan Vishkoviq dhe kryetari i Kuvendit Popullor, Nenad Stevandiq, u përfshinë në linjën e re të mbrojtjes, duke marrë rolin e bashkëpunëtorëve të tij politikë. Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, pikërisht në ditën kur Kuvendi i RS po diskutonte për projekt-kushtetutën e re që synon ta paraqesë entitetin si shtet të popullit serb me të drejtë vetëvendosjeje, lëshoi urdhër për arrestimin e tyre, së bashku me Dodikun, për dyshim të kryerjes së veprës penale "sulm ndaj rendit kushtetues". Kështu, ndonëse fillimisht i izoluar në aspektin juridik, Dodiku arriti të gjejë partnerë të rinj politikë dhe juridikë, duke përmbushur parakushtin për ndërtimin e një narrative më të gjerë mbi kërcënimin institucional dhe kombëtar.
Eksporti i narrativës: pa treg
Ky ishte çelësi i strategjisë politike të Dodikut, i cili synonte formësimin e perceptimit publik për një sulm të koordinuar ndaj interesave kombëtare serbe. Për ta bërë këtë narrativë legjitime, ai u përpoq ta rriste atë përtej nivelit personal dhe lokal, duke kërkuar ura simbolike me temat globale. Në këtë përpjekje, Dodiku tregoi fleksibilitet politik, duke përshtatur retorikën sipas rastit, pa domosdoshmëri për koherencë ideologjike. Mbajtja e kapelës “Make America Great Again” u lexua si përpjekje për t’u identifikuar me politikën e Trump në ShBA, ndërsa vizita në Izrael dhe shfaqja e protestave në Sarajevë synonte ta paraqiste veten si viktimë e antisemitizmit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Por kjo strategji e çoi në një situatë paradoksale, ku u përpoq të paraqitej njëkohësisht si viktimë e USAID-it, Hamasit dhe DAESh-it – gjë që u shfaq si një narrativë politikisht e paqëndrueshme. Vizita në Izrael përfundoi papritur dhe nga administrata Trump erdhi një dënim eksplicit i veprimtarisë së tij.
Përpjekjet për të promovuar këtë narrativë jashtë vendit rezultuan në mospërputhje midis ambicieve të Dodikut dhe realitetit në terren. Një nga shembujt më të dukshëm ishte një reklamë në gazetën austriake Heute, ku RS-ja paraqitej si entitet paqedashës që respekton Marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa Dodiku si mjet politik i këtij vizioni. Por institucionet austriake reaguan ashpër, duke e cilësuar atë si kërcënim për stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës. Pas deklaratës së tij se “mund të vijë në Vjenë kur të dojë”, Austria ndaloi hyrjen e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij, Stevandiq dhe Vishkoviq, duke refuzuar në tërësi narrativën e ofruar për publikun austriak.
Rishpërndarja e brendshme e narrativës
Edhe pse Dodiku u përpoq të gjente mbështetje ndërkombëtare, rezultoi se aleati më i rëndësishëm dhe më sfidues ishte vetë populli, konkretisht përfaqësimi i tij institucional në RS. Për herë të parë, goditja më e fortë ndaj narrativës së lidhjes së fatit të tij personal me interesin kolektiv serb nuk erdhi nga jashtë, por nga brenda, nga opozita e RS-së, e cila këtë herë refuzoi të mbështeste pretendimin për "rrezikimin e popullit serb" dhe u distancua nga problemet gjyqësore të Dodikut. Për të ruajtur kontrollin mbi narrativën, Dodiku e zgjeron rrethin e armiqve, duke përfshirë edhe opozitën serbe, të cilën e etiketon si “tradhtarë të brendshëm”.
Pastaj, Dodiku e zgjeroi edhe më tej gamën e objektivave, duke shtuar elementë të tradhtisë historike dhe fetare. Ai filloi të interpretojë identitetin boshnjak përmes prizmit të prejardhjes fetare, duke sugjeruar se “zgjidhja për Bosnjën e Hercegovinën” do të ishte rikthimi i boshnjakëve në fenë ortodokse, që do të krijonte një shtet me shumicë serbe. Në një fjalim që ngjalli reagime të ashpra, ai deklaroi pikërisht këtë, dhe të nesërmen publikoi në rrjetin X një fragment nga filmi Thika, i njohur për interpretimin nacionalist të marrëdhënieve boshnjako-serbe, duke komentuar se boshnjakët “kanë ndërruar emër” dhe “kanë mohuar identitetin e tyre”.
Këto deklarata, nëse do të merreshin seriozisht si propozime politike për “qëndrueshmërinë e shtetit”, do të çonin në diskutime mbi bazat kushtetuese, të drejtat e njeriut, identitetin dhe vetëvendosjen. Por, për shkak të shkëputjes së thellë nga realiteti politik, ato nuk janë oferta negociuese, por provokime simbolike. Ato funksionojnë si mjet për forcimin e një narrative të veçantë, atë të Dodikut si lider që “shkon deri në fund”, edhe nëse kjo do të thotë mohim i identitetit të një populli tjetër. Kjo retorikë nuk i drejtohet publikut boshnjak, por synon konsolidimin e brendshëm të trupës serbe, duke forcuar imazhin e një lideri të paepur.
Narrativa kundrejt realitetit
Kur narrativat për armiqtë dhe tradhtarët arrijnë deri te themelet ideologjike dhe identitare të shtetit, lind pyetja sa të qëndrueshme janë këto konstrukte përballë realitetit të politikës. Një deklaratë e fundit e Nenad Stevandiq, një nga aleatët më të ngushtë të Dodikut, tregon se realiteti nuk mund të injorohet tërësisht. Ai deklaroi se, në rast të një marrëveshjeje politike dhe tërheqjes së ligjeve të imponuara nga përfaqësuesi i lartë Christian Schmidt, ai do të kërkonte nga Dodik dhe Vishkoviq të tërhiqnin tre ligjet për të cilat janë akuzuar. Edhe pse Dodik nuk e njeh Schmidtin si përfaqësues të ligjshëm, vetë përmendja e mundësisë së kompromisit tregon se narrativa e “luftës deri në fund” ka kufij praktikë.
Kjo qasje pragmatike u duk edhe në njoftimet për ndryshimin e modelit të financimit të partive politike në RS. Pas vendimit të Schmidt për të bllokuar fondet për SNSD-në e Dodikut dhe Ujedinjena Srpska të Stevandiqit, Dodiku propozoi ndalimin e financimit publik për të gjitha partitë në nivel entiteti, një masë që, në pamje të parë, është universale, por në thelb është pranim i ndikimit të vendimeve të Schmidtit. Retorika e rezistencës ruhet, por veprimet tregojnë përshtatje administrative.
E njëjta logjikë u vu re edhe te Radovan Vishkoviq, i cili më parë deklaronte se nuk do t’i përgjigjej kurrë thirrjes së drejtësisë së BeH, por më vonë u shpreh i gatshëm të paraqitej para prokurorit nëse seanca mbahej në Banjë Llukë. Edhe kjo, e paraqitur si rezistencë parimore, në fakt është njohje funksionale e autoritetit të institucioneve të cilat publikisht i kishte mohuar.
Narrativa në prag të skadimit
Pas çdo përpjekjeje të Dodikut për të ndërtuar një narrativë, qoftë për kapelën e Trump-it, vizitën në Izrael, reklamat në Austri, sulmet ndaj opozitës, e deri te reinterpretimi i identitetit boshnjak, qëndron e njëjta logjikë: krijimi i një bote ku armiqtë vijnë nga të gjitha anët, dhe e vërteta mbetet vetëm te një figurë politike. Por, çdo narrativë e tillë ka rënë sapo është përballur me realitetin juridik dhe institucional. Trump e ka refuzuar, vizita në Izrael u ndërpre, Austria e ndaloi hyrjen, opozita e mohoi, dhe as boshnjakët nuk u bënë ura për një bashkëjetesë të re.
Në fund, ajo që mbetet është vetëm një narrativë që synon të ruajë imazhin e një lideri që “nuk guxon të preket, sepse do të ishte më keq”. Kjo që i paraqitet publikut si betejë për autonomi kolektive, në realitet duket gjithnjë e më shumë si një përpjekje për mbijetesë politike personale: një ego që nuk pranon humbjen, por e implementon çdo ditë përmes ligjeve, vendimeve dhe heshtjes.
Sfida më e madhe për Dodikun, prandaj, nuk është të gjejë armiq të rinj për përplasje, por të ruajë iluzionin se në konfliktet që vetë i ka krijuar ende ka mjete dhe aleatë për një luftë të barabartë.
Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht politikën redaktuese të TRT Balkan.