Rusia i tha të mërkurën Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) se veprimet e Izraelit në territoret palestineze të pushtuara po çojnë drejt një “krize ligjshmërie dhe humaniteti”, teksa dëgjimet publike për detyrimet e Izraelit vazhduan për ditën e tretë.
“Sot, përballemi me një krizë të ligjshmërisë dhe humanitetit, për shkak të minimit sistematik të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) nga Izraeli dhe neglizhencës së tij ndaj detyrimeve të përgjithshme sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ato që burojnë nga statusi i Izraelit si fuqi pushtuese”, tha Maksim Musikhin në emër të Moskës.
“Kjo çështje është urgjente. Gaza ndodhet në prag të urisë. Spitalet janë rrënuar.”
Musikhin paralajmëroi se me bllokadën totale të Izraelit që nga 2 marsi dhe rifillimin e operacioneve ushtarake, Gaza po përjeton shkatërrim të madh dhe një “katastrofë humanitare të paprecedentë”.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për operacionin ushtarak të rinisur nga Izraeli në Bregun Perëndimor më 21 janar, duke paralajmëruar se ai “rrezikon të përsërisë një skenar të tmerrshëm si ai në Gaza.”
Rusia ripohoi mbështetjen për UNRWA-n, duke e quajtur rolin e saj “thelbësor” dhe duke theksuar se “veprimtaria e saj mbështetet fuqimisht nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar.”
“Pa UNRWA-në, sistemi humanitar i Gazës do të shembet”, paralajmëroi ai.
Rusia argumentoi se “Izraeli, si fuqi pushtuese, është i detyruar të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare (IHL), përfshirë Konventën e Katërt të Gjenevës dhe Rregullat e Hagës.”
“Asgjë nga këto nuk po zbatohet sot”, tha Rusia në gjykatë, duke akuzuar Izraelin se nuk po i përmbush detyrimet për të siguruar ushqim, shëndetësi dhe shërbime higjienike.
“Ligjet izraelite që ndalojnë veprimtarinë e UNRWA-s shkelin normat dhe parimet aktuale”, tha Musikhin, duke i kërkuar gjykatës që opinioni i saj të jetë “një dritë shprese” dhe një ripohim i së drejtës ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu iu drejtuan gjykatës gjatë sesionit të mëngjesit, duke mbështetur rifillimin e ndihmës humanitare.
“Për të qenë të qartë, Shtetet e Bashkuara mbështesin rrjedhën e ndihmës humanitare në Gaza me garanci për të siguruar që ajo të mos grabitet apo keqpërdoret nga grupet terroriste”, tha Joshua Simmons, duke shtuar: “Ne inkurajojmë komunitetin ndërkombëtar të përqendrohet në përparimin drejt një armëpushimi dhe në një qasje të re për një të ardhme më të mirë si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët.”