Shumë qytetarë dhe studentë kanë reaguar pasi Universiteti i Prishtinës promovoi një antalogji me rrëfime për ngjarjet e 7 tetorit 2023 në Izrael, duke i dhënë zë vetëm njërës palë në luftën e Izraelit në Gaza.
Në Sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, të martën (20 maj), u promovua antalogjia e redaktores Netta Gurevitch dhe ilustrues Danielle Peleg para disa studentëve dhe profesorëve të UP-së, në një ngjarje ku merrte pjesë edhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Pas publikimit të ngjarjes në rrjetet sociale, shumë qytetarë dhe studentë të universitetit reaguan dhe u distancuan nga vendimi i UP-së që ta promovojë këtë vepër, përkundër luftës gjenocidale të Izraelit ndaj Gazës.
Në një reagim, Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë e cilëson “të turpshme pjesëmarrjen nga një grup studentësh të cilët nuk përfaqësojnë asnjë instancë studentore”.
“Ne u bashkohemi miliona reagimeve dhe protestave nga e gjithë bota dhe sidomos vendeve europiane për ta ndalur luftën në Palestinë dhe për një paqe të qëndrueshme, ku popullata civile s’do të pësojë nga krimet mizore dhe barbare që po zhvillohen në atë vend të shenjtë për të gjitha fetë monoteiste”, thuhet në reagim.
Izraeli po vazhdon me një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë më shumë se 53.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Për luftën në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.