Durrësi, Beogradi dhe Ulqini: Perandoria e heshtur Ballkanike e Alabbarit
RAJONI
3 minuta leximi
Durrësi, Beogradi dhe Ulqini: Perandoria e heshtur Ballkanike e AlabbaritManjati i patundshmërive nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka në dorë tri prej projekteve më të rëndësishme në Ballkan në vitet e fundit.
Durrësi, Beogradi dhe Ulqini: Perandoria e heshtur Ballkanike e Alabbarit / TRT Balkan AL
6 Maj 2025

Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar marrëveshjen për turizmin me Emiratet e Bashkuara Arabe, që ka për qëllim investimet emirate në Ulqin. Marrëveshja u votua në Kuvend përkundër kundërshtimit të ashpër të opozitës, ndërsa kundër saj u ngritën edhe presidenti i vendit Jakov Millatoviq dhe të gjithë përfaqësuesit shqiptarë.

Presidenti Millatoviq madje nuk e firmosi ligjin e ratifikimit të marrëveshjes, duke e kthyer atë sërish në Kuvend.

Por, kush është investitori emirat i cili do ta transformojë Ulqinin, sipas kësaj marrëveshjeje? Çfarë ka të përbashkët Ulqini me Durrësin dhe Beogradin?

Këtë njeri: Mohamed Alabbar.

Manjati i patundshmërive nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka në dorë tri prej projekteve më të rëndësishme në Ballkan në vitet e fundit.

Beogradi në Ujë, projekti i Alabbarit që polarizoi shoqërinë serbe

Me kompaninë e tij Eagle Hills, Alabbar siguroi marrëveshjen për ndërtimin e “Beogradit në ujë”, një projekt investimi 3.5 miliardë dollarësh që mund të rritet më tej si shifër.

Ky projekt synon të gjallërojë brigjet e lumit Sava, ndërsa përfshin hapësira banimi, hapësira tregtare, Kullën e Beogradit e cila është më e larta në Ballkan dhe Galerinë e Beogradit, qendrën më të madhe tregtare dhe argëtuese në rajon.

Por, ky projekt ka polarizuar thellë shoqërinë serbe. Kritikët thonë se Qeveria serbe i dha tokë atraktive shtetërore praktikisht falas investitorit në një procedurë jotransparente, ndërsa projekti bëhet enklavë luksoze e paqasshme për të rëndomtit.

Por, ambiciet e tij në Ballkan nuk përfunduan me Beogradin.

Porti i Durrësit: Premtimi për ta kthyer Durrësin në Monako

Alabbar është investitori që siguroi marrëveshjen edhe për Portin e Durrësit, projektin e famshëm Durrës Marina & Yachts.

Më 30 janar të vitit 2023, Qeveria e Shqipërisë, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama.

Pas firmosjes së marrëveshjes, Alabbar i bëri shqiptarët të ëndërrojnë duke premtuar ta shndërrojë Durrësin në Monako. Projekti i vlefshëm dy miliardë euro u kontestua ashpër nga opozita në Shqipëri. Shteti mban vetëm 33% të aksioneve në këtë projekt, për të cilin pretendon se do të jetë locomotive e zhvillimit ekonomik.

Ulqini: Dubai i ri apo një tjetër “Beograd në Ujë”?

E nëse Durrësi do të jetë Monako, Ulqini do të bëhet Dubai. Kjo është ëndrra e Alabarit të cilën e përqafoi Qeveria e Malit të Zi.

Përkundër protestave dhe kritikave nga Presidenti, politikanët shqiptarë dhe ulqinakët, Qeveria siguroi mbështetjen e Kuvendit për marrëveshjen për turizëm me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryeministri Millojko Spajiq tha se Alabbar ishte i gatshëm të investojë 35 miliardë euro në Ulqin, edhe pse vetë kompania Eagle Hills dha shifra shumë më të vogla.

Në këmbim? Mali i Zi i jep Plazhin e Madh, xhevahirin turistik të Ulqinit, në koncesion 90-vjeçar investitorit emirat.  

Një aset që vlerësohet rreth 20 miliardë euro nga opozita malazeze, por më e rëndësishmja, një burim jete për vendasit ulqinak brez pas brezi. Kështu brenda natës, ata bëhen të huaj në tokën e tyre.

Madje, për ironi, për ta shfrytëzuar plazhin ku u rritën duhet t’i paguajnë investitorit arab. 

Si te klasikja e Nolit: Anës detit i palarë.

Në letrën që i dërgoi Bashkimit Evropian për ta kontestuar këtë marrëveshje, kryetari i Ulqinit shpreh shqetësime serioze edhe për ndryshimin e demografisë së Ulqinit. Ai thotë se punëtorët që do të sillen për të punuar me dekada në projektin e transformimit të Ulqinit, ua rrezikojnë shqiptarëve statusin e shumicës në këtë vend bregdetar.

Dubai i ri apo Beogradi i ri në ujë? Koha do ta tregojë se çfarë do të bëhet Ulqini. 


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us