Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, vlerësoi sot se procesi i votimit për zgjedhjet e sotme parlamentare është zhvilluar në përputhje me të gjitha rregullat dhe standardet, me ndonjë përjashtim sporadik.
Në një konferencë për mediet pas mbylljes zyrtare të procesit të votimit, Celibashi u shpreh se deri në orën 18:30 përqindja në votime raportohet me një pjesëmarrje prej 41,37%.
Celibashi theksoi se të dhënat do të përditësohen së shpejti, por nuk pret të ketë ndryshim të madh në këtë raport të përqindjes.
“Ka përfunduar procesi i votimit dhe sipas raportimeve që ne kemi marrë nga terreni edhe në qarkun e Vlorës ka përfunduar procesi i votimit. Jemi duke mbikëqyrur procesin e përgatitjes për dorëzim të kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore në KZAZ-të respektive në përputhje me të gjitha protokollet që ka miratuar KQZ-ja”, u shpreh komisioneri.
Bazuar në monitorimin e KQZ-së, Celibashi vlerësoi se procesi ka shkuar mirë në pjesën dërrmuese, me ndonjë përjashtim sporadik në përputhje me të gjitha rregullat dhe standardet.
“Problematikat e konstatuara kryesisht në mëngjes në momentin e hapjes së votimit janë adresuar menjëherë nga ana e KQZ-së, përfshirë këtu problematika me paraqitjen e komisionerëve në qendrat e votimit, operatorëve të përdorimit të pajisjeve elektronike të verifikimit”, tha ai.
Celibashi vlerësoi se procesi i identifikimit elektronik ka shkuar shumë mirë.
“Ka pasur afro 4 raste ku operatorët nuk u paraqitën dhe 4 të tjera ku pati ndërprerje procesi i verifikimit me pajisje dhe u kalua me verifikimin përmes listës së zgjedhësve”, tha ai.
Celibashi theksoi po ashtu se KQZ-ja ka pasur shkëmbime të informacionit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për 5 raste, konkretisht dy raste në Tiranë, një rast në Elbasan, një rast në Korçë dhe një rast në Berat.
“Informacionet i kemi marrë ne si KQZ nëpërmjet monitoruesve apo inspektorëve të terrenit dhe këto informacione në gjykimin tonë të lidhura me akte që mund të vlerësohen si shkelje të karakterit penal ja kemi përcjellë këtyre prokurorive për kompetencë shqyrtuese të mëtejshme”, shtoi ai.