Nën kujdesin e Ministrisë turke të Tregtisë dhe me mbështetjen e organizatave të ndryshme të biznesit në Tiranë është organizuar misioni i biznesit Shqipëri-Türkiye.
Në hapje të aktivitetit të organizuar në formën e takimeve B2B, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, u shpreh se në emër të qeverisë i siguron bizneset që Shqipëria tashmë është një vend shumë i sigurt dhe shumë atraktiv për të bërë tregti dhe për të investuar.
"Marrëdhënia e dy vendeve, Shqipërisë dhe Türkiyes i ka rrënjët shumë të thella. Janë dy popuj miq ku janë të pandashëm në disa shekuj. Bashkëpunim më vëllazëror dhe më miqësor midis dy kombeve tona nuk besoj se ka në botë. Shqipëria është një vend dhe një portë e hapur drejt Ballkanit e cila siguron tashmë marrëdhënie tregtare me të gjitha vendet mike", tha Hoxha.
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, shprehu falënderimet për kompanitë turke pjesëmarrëse në këtë aktivitet, sepse sipas tij marrin në dorë pjesën ekonomisë.
"Do të doja t'u bëja një thirrje të gjitha kompanive tona dhe botës së biznesit në Türkiye. Procesi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian po përparon shumë shpejt. Kryeministri (Edi) Rama ka deklaruar qëllimin për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2030 dhe unë besoj me gjithë zemër se ata do ta arrijnë këtë qëllim. Prandaj, ata duhet ta marrin patjetër këtë në konsideratë dhe të rrisin investimet dhe lidhjet e tyre të biznesit në këtë vend vëlla, integrimi evropian i të cilit po përparon kaq mirë dhe është kaq konkret, sepse ky vend do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian shumë shpejt, tha Atay.
Atay i konsideroi marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Shqipërisë me rrënjë historike si dhe marrëdhënie vëllazërore.
- "Shqipëria është një destinacion investimesh për biznesin turk dhe një partner i besueshëm"
Kryetari i MÜSİAD Albania, Muhammet İşler, në fjalën e tij u shpreh se vitet e fundit po shohin që kompanitë turke po japin një kontribut të fuqishëm në sektorët si infrastruktura, energjia, ndërtimi, minierat, tekstili dhe ushqimi.
"Si MÜSİAD Shqipëri, si një individ i botës së biznesit dhe një lider i shoqërisë civile që shërbej këtu, dëshiroj të shpreh hapur se Shqipëria është një destinacion investimesh për biznesin turk dhe një partner i besueshëm. Po ashtu, Türkiye është një treg i vyer për Shqipërinë në fushën e prodhimit, teknologjisë dhe eksportit", tha İşler.
Presidenti i Shoqatës së Eksportuesve të Anadollit Lindor (DAİB), Ethem Tanrıver, u shpreh se Türkiye gjithmonë ka qenë një partner strategjik për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa sipas tij Shqipëria ka qenë një portë e rëndësishme për biznesin turk në Ballkan.
"Vëllimi i tregtisë ndërmjet vendeve tona është rritur në mënyrë të qëndrueshme vitet e fundit dhe bashkëpunimet janë forcuar në shumë fusha si energjia, ndërtimi, infrastruktura, ushqimi, tekstili dhe teknologjia. Programi i sotëm përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të institucionalizuar, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës", tha Tanrıver.
"Türkiye është një ndër parterët strategjikë të Shqipërisë në këmbimet ekonomike dhe tregtare"
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, tha se ka një vullnet të jashtëzakonshëm pozitiv të të dy qeverive për të mirëpritur dhe stimuluar marrëveshjet, bashkëpunimet dhe investimet e përbashkëta.
"Vërtet Türkiye është një ndër parterët strategjikë të Shqipërisë në këmbimet ekonomike dhe tregtare, por po të shohim marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve tona si dhe nivelin e tyre jam i bindur që ne akoma nuk kemi arritur në nivel që të jemi edhe në atë lloj niveli edhe në marrëdhëniet ekonomike", theksoi Jaka.
Në fokus të takimeve dypalëshe (B2B) mes bizneseve turke dhe shqiptare ishin bashkëpunimet në sektorët e ndërtimit, industrisë së energjisë, naftës dhe gazit, sektori automotiv, sektori i klimatizimit, sektori i ushqimit dhe bujqësisë, sektori i tregtisë së jashtme dhe investimeve dhe fusha të tjera.