POLITIKË
1 minuta leximi
Trump prezanton F-47, avionin e parë luftarak të gjeneratës së gjashtë
Presidenti i ShBA-së njoftoi se Boeing është zgjedhur për të ndërtuar F-47, i cili është i pajisur me teknologjitë më të avancuara.
Trump prezanton F-47, avionin e parë luftarak të gjeneratës së gjashtë
Trump prezanton F-47, avionin e parë luftarak të gjeneratës së gjashtë / Reuters
21 Mars 2025

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, të premten njoftoi se Forcat Ajrore amerikane po ecin përpara me avionin e parë luftarak të gjeneratës së gjashtë në botë.

 "Asgjë në botë nuk i afrohet këtij avioni, dhe ai do të njihet si F-47", tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, përkrah Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Trump njoftoi se Boeing është zgjedhur për të ndërtuar avionin luftarak.

"Pas një gare të rreptë dhe të hollësishme midis disa prej kompanive më të mira ajrore amerikane, Forcat Ajrore do të japin kontratën për platformën e re të dominimit ajror te Boeing", deklaroi ai.

F-47 është i pajisur me teknologji të avancuara të fshehtësisë, "praktikisht i padukshëm dhe me një fuqi të paparë", tha presidenti amerikan, duke zbuluar se një version eksperimental i avionit ka fluturuar fshehurazi për gati pesë vjet.

"F-47 do të jetë avioni më i avancuar, më i aftë dhe më vdekjeprurës që është ndërtuar ndonjëherë", theksoi ai.

Trump shtoi gjithashtu se një flotë e re avionësh F-47 do të ndërtohet gjatë dy viteve të ardhshme.

"Kemi dhënë një porosi për shumë njësi. Nuk mund t’ju themi çmimin" shtoi Donald Trump.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us