Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe anëtarët e Këshillit Federal gjatë vizitës së parë shtetërore të një presidenti të Kosovës “në njërin nga shtetet më aleate” të Kosovës.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në takimin e presidentes Osmani me homologen e saj zvicerane Keller-Sutter biseduan për thellimin e partneritetit politik, ekonomik dhe në fusha të tjera.
Gjithashtu thuhet se dy presidentet kanë folur edhe për mërgatën kosovare në Zvicër, e cila siç tha presidentja Osmani “nuk është thjesht pjesë e shoqërisë zvicerane, por motor i zhvillimit të saj”.
“Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta, lirinë, demokracinë dhe solidaritetin. Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në përpjekjet tona për forcimin e pozitës ndërkombëtare”, theksoi Osmani.
Presidentja kosovare Osmani u prit me ceremoni shtetërore në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, ku bashkë me homologen zvicerane patën rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që morën pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve.