Në Ankara u mbajt konferenca “Bota nuk e harron Srebrenicën” me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Konferenca u mbajt në sallën “Muzaffer Göker” në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Ankarasë (AU), në bashkëpunim me AU-në, Fakultetin e Filologjisë, Shoqatën Historike dhe Shoqatën e Grave Boshnjake “Zambak”.
Profesori Admir Mulaosmanoviq nga Universiteti i Balıkesirit mbajti një ligjëratë me temën “Formësimi i ndërgjegjes për gjenocidin në mënyrë të shtresuar”, duke u ndalur tek trashëgimia osmane në Bosnjë e Hercegovinë dhe konteksti historik që çoi në luftën e viteve 1992–1995.
Mullaosmanoviq theksoi se në fillim të viteve ’90, urrejtja e serbëve ndaj myslimanëve dhe Islamit ishte shtuar ndjeshëm.
“Bosnja e Hercegovina, përkundër gjithçkaje, arriti të mbijetojë. Islami nuk u zhduk”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se edhe sot serbët, në disa raste, përdorin retorikë fyese kundër Srebrenicës.
Kryetarja e Shoqatës së Grave Boshnjake “Zambak”, Xhenita Ozgüner, në fjalën e saj hyrëse, theksoi se gjenocidi në Srebrenicë nuk duhet harruar kurrë.
“Të mbash peshën e gjenocidit është një barrë e madhe. Edhe pas kaq shumë vitesh, nuk është e lehtë ta kapërcesh. Plagët janë të thella, dhe pyetja e ndërgjegjes “pse ata dhe jo ne” nuk të hiqet kurrë, nuk kalon kurrë”, tha ajo.
Takimi u mbajt në kuadër të projektit “Bota kujton Srebrenicën”, që mbështetet nga Rijaseti i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë dhe Ministria Federale për Personat e Zhvendosur dhe Refugjatët.
Projekti është iniciuar si përgjigje ndaj mohimit sistematik dhe glorifikimit të gjenocidit dhe ka për qëllim informimin dhe edukimin e opinionit publik, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në mbarë botën, për pasojat e gjenocidit dhe rëndësinë e pranimit të fakteve dhe vendimeve gjyqësore.