Dy motrat nga Shqipëria, kampione në karate!
RAJONI
3 minuta leximi
Dy motrat nga Shqipëria, kampione në karate!Erla dhe Ema Demirxhiu janë dy motra nga Shqipëria, të cilat jo vetëm që e ushtrojnë karatenë me besnikëri dhe fanatizëm, por kanë spikatur edhe si kampione kombëtare në këtë sport.
Dy motrat nga Shqipëria, kampione në karate! / TRT Balkan AL
23 Maj 2025

Edhe pse karateja është cilësuar vazhdimisht si një sport për meshkuj, duket sikur ky stereotip i krijuar është thyer me kalimin e kohës, duke u parë jo vetëm si një aktivitet i cili nuk njeh gjini, por edhe si një disiplinë e dobishme për vetëmbrojtje te vajzat.

Erla dhe Ema Demirxhiu janë dy motra nga Shqipëria, të cilat jo vetëm që e ushtrojnë karatenë me besnikëri dhe fanatizëm, por kanë spikatur edhe si kampione kombëtare në këtë sport.

Erla, motra e madhe, e nisi karrierën në karate që në moshën 7-vjeçare. Sot, 15 vjeç, ajo mban titullin kampione kombëtare prej 8 vitesh me radhë në disiplinën “kumite” (dyluftim), si edhe në “kata” (luftim imagjinar).

“Mendoj se është një sport shumë ideal për vajzat sepse i ndihmon të kenë vetëbesim dhe të mbrojnë veten,” thotë Erla.

Qëllimi i saj është të arrijë 10 vite kampione rresht, një rekord personal që përfaqëson përkushtim, disiplinë dhe pasion të jashtëzakonshëm.

Pikërisht ky pasion u bë frymëzim edhe për motrën e vogël, Emën.

Ema është vetëm 10 vjeç, por me një qëndrim prej luftëtareje të vërtetë. Ajo filloi karatenë duke ndjekur motrën në stërvitje, por shumë shpejt e gjeti veten duke ndarë të njëjtin pasion.

“Doja vetë, më pëlqeu kur shihja motrën që e bënte dhe më hypi dhe mua në qejf,” tregon Ema.

Fitimi i medaljes së saj të parë, vendi i tretë, ishte një moment krenarie dhe motivimi për të vijuar më tej në këtë sport.

“Më pëlqen shumë të bëhem aktore, edhe e mendoj veten në filma duke bërë karate,” shton ajo për TRT Balkan.

Duhet thënë se ky pasion është i trashëguar nga babai i tyre, Ervini, i cili thotë se ëndrrat e mbetura në sirtar për brezin e tij, janë më të prekshme sot, edhe pse kërkojnë mbështetje financiare dhe dedikim nga familja.

“Nuk e besoja që do të shkonim deri në këtë pikë që vajzat do të bëheshin kampione kombëtare për vite rresht,” thotë ai. “Jam krenar që janë të angazhuara në një aktivitet që u ndihmon trupin, mendjen dhe vetëbesimin, shumë më tepër se çdo medalje.”

Ervini beson se karateja është një alternativë e shëndetshme ndaj kohës së kaluar në pajisje elektronike, dhe një mënyrë për t’u zhvilluar si individë të fortë, duke theksuar kështu rëndësinë e angazhimit të fëmijëve dhe të rinjve në sport.

Përveç garës, motrat ndajnë një lidhje të veçantë, ku bashkëpunimi dhe rivaliteti shkojnë krah për krah.

“Marrëdhënia me motrën? Shumë e mirë… raste zihemi, raste jo. Fillojmë me grushta (qesh), por unë përmbahem… si motër e madhe,” rrëfen Erla me humor.

Në fund, kur pyeten për njëra-tjetrën, sarkazma e ëmbël e motrave nuk mungon:

Erla: “Je motra ime e preferuar!”

Ema: “Një ke…”

Erla dhe Ema Demirxhiu nuk janë thjesht sportiste, ato janë shembulli i përkryer se si pasioni, vullneti dhe disiplina mund të krijojnë jo vetëm kampione në sport, por mbi të gjitha një shembull pozitiv për shoqërinë.


BURIMI:TRT Balkan AL
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us