Në qytetin holandez të Rotterdamit u protestua kundër ankorimit në port të një anijeje që transportonte pjesë të avionëve luftarakë F-35, e cila u nis nga Izraeli.
Një numër i madh qytetarësh, kryesisht holandezë, morën pjesë në protestën përpara Bashkisë së Roterdamit. Qytetarët protestuan kundër ankorimit të një anijeje "Maersk" që transportonte pjesë të avionëve luftarakë F-35 në portin e Roterdamit.
Protestuesit brohoritën slogane dhe mbanin pankarta me mbishkrimet "Hiqe maskën Maersk", "Maersk fiton nga gjenocidi" dhe "Ne jemi të gjithë palestinezë, ndërpritni të gjitha lidhjet me shtetin e aparteidit të Izraelit" si dhe pankarta që shkruanin "Bojkoto Izraelin", "Duart tuaja të përgjakshme" dhe "Ndalo anijet" si dhe "Palestina e Lirë".
Në fjalimet e mbajtura në protestë u tha se vitin e kaluar një gjykatë holandeze vendosi ta ndalojë eksportin e pjesëve të F-35 në Izrael me arsyetimin se vendi po shkelte ligjin ndërkombëtar humanitar në Gaza.
Pavarësisht këtij vendimi, Bashkia e Roterdamit dhe autoritetet portuale kontribuan në mënyrë indirekte në dërgesën e armëve në Izrael duke lejuar një anije që transportonte pjesë të avionëve luftarakë F-35 të ankorohej në port.
Theksohet se anija e ankoruar në port ishte pjesë e një zinxhiri logjistik ushtarak që i shërbente industrisë së armëve të Izraelit.
Protestuesit bllokuan rrugën dhe shinat e tramvajit përpara bashkisë për një kohë. Më pas ata marshuan nëpër qendër të qytetit dhe mbajtën një protestë ulur në kryqëzimin që të çon në urën "Erasmus", duke bllokuar trafikun.