RAJONI
2 minuta leximi
Kallas në Prishtinë: Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra drejt BE-së
“Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësimin në BE. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme...”, tha Kallas.
Kallas në Prishtinë: Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra drejt BE-së
Kallas në Prishtinë: Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra drejt BE-së / AA
22 Maj 2025

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, e cila qëndron për vizitë në Prishtinë, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është i një “rëndësie strategjike” për bllokun evropian dhe se zgjerimi i BE-së me vendet e këtij rajoni është “projekti ynë më i rëndësishëm gjeopolitik”.

Kallas në fjalën e saj para mediave në Prishtinë tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu “prioritet personal” për të. Ajo përshëndeti faktin që shumica e njerëzve në Kosovë mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në BE.

“Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësimin në BE. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Plani i zhvillimit i BE-së për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe për integrim gradual në një treg të vetëm të BE-së që po u sjell prosperitet popujve”, tha Kallas.

Sipas saj, Kosova fillimisht duhet të paraqesë një agjendë të reformave dhe më pas të jetë e pozicionuar mirë për të përfituar nga plani i rritjes i BE-së.

Që kjo të ndodhë, theksoi ajo, vendit i nevojiten institucione funksionale që të mund t’i zbatojnë në mënyrë efektive reformat, për të cilat i inkurajoi të gjitha palët ta thyejnë “ngërçin politik” për ta formuar parlamentin dhe qeverinë e re të vendit.

Më tej, Kallas gjithashtu foli për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

“Prioritet kyç mbetet normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni partnerë të barabartë në tryezë. Normalizimi i marrëdhënieve tuaja është e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për njerëzit e këtij rajoni. Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi”, theksoi Kallas.

Ajo gjithashtu përmendi nevojën për çtensionimin në veri të Kosovës dhe theksoi se “mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri minon përpjekjet drejt çtensionimit”.

Kallas këto tri ditë qëndron për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht dje në Serbi, sot në Kosovë dhe nesër në Maqedoni të Veriut, ku po zhvillon takime me krerët shtetërorë, përfaqësues të misioneve të BE-së në këto vende, si dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. 

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us