Türkiye po i ndjek tensionet e vazhdueshme midis Pakistanit dhe Indisë, të cilat po kërcënojnë stabilitetin dhe po dëmtojnë rëndë sigurinë rajonale në Azinë Jugore, me "shqetësim të madh", thanë burime të Ministrisë së Mbrojtjes të mërkurën.
"Është e qartë se tensionet në rritje verbale dhe ushtarake midis dy vendeve mund të kenë pasoja që kërcënojnë jo vetëm popujt e rajonit, por edhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare", thanë burimet e ministrisë.
"Prandaj, është thelbësore që India të veprojë me përgjegjësi duke shmangur hapat përshkallëzues dhe të veprojë brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe të diplomacisë", shtuan burimet.
Burimet theksuan se Türkiye i kupton shqetësimet legjitime të sigurisë së vendit të saj vëlla Pakistan dhe pret që të dyja palët të kërkojnë zgjidhje paqësore, me bashkësinë ndërkombëtare që luan një rol konstruktiv në këtë proces.
Burimet e ministrisë nënvizuan gjithashtu se Türkiye do të vazhdojë të qëndrojë e vendosur kundër çdo veprimi provokues që krijon paqëndrueshmëri në Azinë Jugore.
Burimet vunë në dukje se pretendimet se Ankaraja kishte dërguar gjashtë aeroplanë me armë në Pakistan janë të pavërteta.
“Një aeroplan mallrash që nisej nga Türkiye bëri një ndalesë në Pakistan për furnizim me karburant. Pas kësaj, ai vazhdoi në itinerarin e tij të caktuar. Raportet spekulative të bëra jashtë deklaratave të personave dhe institucioneve të autorizuara nuk duhet të merren në konsideratë”, shtuan burimet.
Aktivitetet e fundit të administratës greko-qipriote
Burimet nënvizuan angazhimin e Türkiyes për t'i parë detet Mesdhe dhe Egje si rajone stabiliteti dhe prosperiteti, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e të drejtave dhe interesave kombëtare.
Ata theksuan rritjen e fundit të urrejtjes dhe ndjenjave antiturke që synojnë turqit qipriotë, me përpjekje për të ringjallur mentalitetin terrorist të EOKA-s.
Veprime të tilla shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat legjitime dhe sigurinë e turqve qipriotë, thanë burimet, duke përsëritur qëndrimin e Türkiyes për të mbështetur një zgjidhje me dy shtete në Qipro dhe rolin e saj të vazhdueshëm si garantuese e paqes dhe sigurisë, duke pohuar të drejtën e saj për t’i ushtruar kompetencat e dhëna sipas statusit të saj të garancisë.
Takimi i Grupit të Nivelit të Lartë të Mbrojtjes Türkiye-ShBA
Burimet e ministrisë folën për takimin e Grupit të Nivelit të Lartë të Mbrojtjes Türkiye-ShBA në Ankara të hënën, duke vënë në dukje se ata diskutuan mundësitë për të thelluar aspekte të ndryshme të bashkëpunimit të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes për ta çuar përpara dialogun e sinqertë midis dy vendeve, siç është shprehur së fundmi në nivelin më të lartë.
"Takimi trajtoi gjithashtu çështje të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, ku të dyja palët riafirmuan angazhimin e tyre për të forcuar partneritetin strategjik", shtuan burimet.
Takimi i radhës është planifikuar të mbahet në ShBA vitin e ardhshëm.