Zëvendësministri i Mbrojtjes i Türkiyes, Suay Alpay, të premten konfirmoi përkushtimin e Türkiyes ndaj sigurisë së Detit të Zi përmes bashkëpunimit rajonal, integrimit energjetik dhe mbështetjes për paqe të qëndrueshme në Ukrainë, gjatë hapjes së Forumit për Sigurinë e Detit të Zi dhe Ballkanit.
Duke folur në sesionin me temë “Beteja për Detin e Zi nuk ka përfunduar. Kërcënimet aktuale dhe ato të mundshme të reja,” Alpay e përshkroi rajonin si një korridor strategjik detar që lidh Evropën, Azinë, Detin Kaspik, Lindjen e Mesme dhe Mesdheun.
“Deti i Zi ka një pozicion të rëndësishëm në një mjedis sigurie në zhvillim të shpejtë, me rëndësinë e tij gjeostrategjike në kryqëzimin e rajonit Evropë-Azi,” tha ai.
Ai paraqiti tri parime kyç të Türkiyes për stabilitetin: pronësinë rajonale dhe bashkëpunimin mes vendeve bregdetare, shmangien e veprimeve që rrisin tensionet ushtarake, dhe respektimin e plotë të Konventës së Montreux.
Alpay theksoi rëndësinë e zbulimeve të fundit të gazit natyror në ujërat rumune dhe turke, kërkimet e planifikuara në Bullgari dhe projektet e ardhshme të energjisë së rinovueshme në juridiksionet detare të aleatëve.
“Tregtia detare mes vendeve bregdetare dhe midis tyre dhe vendeve jo bregdetare në Detin e Zi rrit edhe më shumë rëndësinë e këtij deti për ne,” tha ai.
Lufta Rusi-Ukrainë
Alpay tha se Türkiye vazhdon të mbështesë të gjitha iniciativat paqësore lidhur me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Türkiye ndjek me kujdes situatën e sigurisë në Ukrainë dhe rreth saj, përkrah përpjekjet e aleatëve për zgjidhjen e krizës dhe udhëheq çdo lloj përpjekjeje paqësore, përfshirë edhe negociatat në Istanbul,” tha ai.
Ai kujtoi bisedimet në nivel të lartë që u mbajtën më 16 maj në Istanbul mes delegacioneve ruse dhe ukrainase, të ndërmjetësuara nga Türkiye.
Alpay shtoi se Türkiye mbështet Koalicionin e Vullnetarëve, një grup prej 31 vendeve që mbështesin Ukrainën, dhe bëri thirrje për një “paqë të drejtë, përfundimtare dhe të qëndrueshme,” në vend të armëpushimeve të përkohshme.
Ai gjithashtu theksoi rolin e Konventës së Montreux në ruajtjen e stabilitetit të Detit të Zi, duke përshkruar zbatimin turk të marrëveshjes së vitit 1936 si të paanshëm dhe të qëndrueshëm.
Deklaratat e aleatëve
Ministri rumun i Mbrojtjes, Angel Tilvar, tha se operacionet e heqjes së minave dhe shpenzimet e zgjeruara për mbrojtje mbeten prioritet për Bukureshtin, duke përfshirë kontrollin e hapësirës ajrore dhe modernizimin e ushtrisë.
Ministri bullgar i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov, e quajti Detin e Zi një kryqëzim gjeostrategjik kritik, duke paralajmëruar se paqëndrueshmëria në rajon kërcënon drejtpërdrejt Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ai shprehu mbështetjen për forcimin e parandalimit të NATO-s në krahun lindor dhe theksoi nevojën për mbështetje të qëndrueshme, një armëpushim të përhershëm dhe “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.
Ministri i Mbrojtjes i Moldavisë, Anatolie Nosatii, tha se vendi i tij është i fokusuar në forcimin e rezistencës kombëtare dhe në kundërshtimin e kërcënimeve hibride për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë.
Forumi dyditor organizohet nga Qendra për Strategji të Reja, një think tank rumun, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Rumunisë.
Agjencia turke e lajmeve Anadolu është partner global i komunikimit të forumit.
Partnerë institucionalë përfshijnë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumunisë, ndërsa partner akademik është Universiteti i Shkencave Agronome dhe i Mjekësisë Veterinare në Bukuresht.
Forumi vazhdoi të premten me seanca ku morën pjesë 198 folës nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilët trajtuan sfidat afatgjata të sigurisë në Detin e Zi dhe Ballkan.