LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Rubio dhe Netanyahu bisedojnë sërish në telefon ndërsa ofensiva në Gaza përshkallëzohet
Rubio dhe Netanyahu diskutojnë për Gazën dhe për përpjekjet e lirimit të pengjeve në bisedën e dytë brenda 3 ditësh.
Rubio dhe Netanyahu bisedojnë sërish në telefon ndërsa ofensiva në Gaza përshkallëzohet
Rubio dhe Netanyahu bisedojnë sërish në telefon ndërsa ofensiva në Gaza përshkallëzohet / Reuters
18 Maj 2025

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, zhvilloi një tjetër telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të shtunën, ndërsa Izraeli intensifikoi fushatën e tij ushtarake në Gaza.

Thirrja, e dyta e tyre brenda vetëm tri ditësh, u bë nga Roma, ku Rubio po merr pjesë në meshën inauguruese të Papa Leonit XIV, u përqendrua në luftën e vazhdueshme në Gaza dhe përpjekjet për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

"Ata diskutuan situatën në Gaza dhe përpjekjet e tyre të përbashkëta për ta siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, në një deklaratë të shkurtër.

Ofensiva e intensifikuar e Izraelit vjen mes shqetësimit ndërkombëtar në rritje për përkeqësimin e kushteve humanitare në Gaza, ku ka bllokuar të gjitha hyrjet e ndihmës që nga 2 marsi.

Izraeli, duke braktisur marrëveshjen e armëpushimit të 19 janarit me Hamasin, rifilloi sulmet më 18 mars. Numri i përgjithshëm i të vdekurve që nga tetori 2023 është rritur në më shumë se 53.000. Të shtunën, në një intervistë të regjistruar paraprakisht me CBS që do të transmetohej të dielën, Rubio përsëriti thirrjet për ndalimin e luftimeve.

"Ne duam që ky konflikt të marrë fund. Ne mbështesim një armëpushim. Nuk duam që njerëzit të vuajnë siç kanë vuajtur dhe për këtë fajësojmë Hamasin, por vuajtjet vazhdojnë", tha ai.

"Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive, edhe tani që flasim, në përpjekjen për të krijuar një mekanizëm për lirimin e pengjeve, ndoshta përmes një armëpushimi", theksoi Rubio.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, duke folur të premten në Abu Dhabi, gjithashtu pranoi krizën e tmerrshme humanitare, duke thënë se "shumë njerëz po vdesin urie" në Gaza.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us