Shpërthimi jashtë një klinike fertiliteti në qytetin turistik Palm Springs në Kalifoninë jugore është shpallur një “akt i qëllimshëm terrorizmi” nga Byroja Federale e Hetimit (FBI).
Shpërthimi, i cili ndodhi dje pak para orës 11 me kohën lokale në Qendrat Amerikane Riprodhuese, vrau një person dhe plagosi katër të tjerë.
Viktima që humbi jetën në një shpërthim automjeti akoma nuk është identifikuar publikisht, ndërkohë thuhet se asnjë nga të plagosurit nuk është pjesë e stafit të klinikës.
"Ky është një akt i qëllimshëm terrorizmi. (Ky është) ndoshta një nga hetimet më të mëdha për bombardime që kemi pasur në Kalifornian Jugore ", tha në një konferencë për media Akil Davis, ndihmësdrejtori i sektorit të FBI-së në Los Anxheles.
Shefi i policisë së qytetit Palm Springs, Andy Mills, konfirmoi se shpërthimi filloi nga një automjet dhe shkaktoi dëme të shumta.
"Terrorizmi trokiti në derën e Palm Springs. Ne mbijetuam, ky qytet do të ngrihet”, tha Mills gjatë të njëjtës konferencë për media.
Ekipet e zjarrfikësve reaguan brenda një minute, por u detyruan të tërhiqen për shkak të dëmtimeve strukturore. Autoritetet kanë identifikuar një person të dyshuar dhe kanë evakuuar disa shtëpi në Twentynine Palms, një qytet i afërt, si masë paraprake.
Dr. Maher Abdallah i Qendrave Amerikane Riprodhuese tha se stafi dhe embrionet nuk u dëmtuan.
"Për fat të mirë, laboratori ynë i IVF (laboratori i fekondimit in vitro) është i paprekur, i padëmtuar. Embrionet janë të sigurta", tha ai për CBS News.
Prokurorja e Përgjithshme e ShBA-së, Pam Bondi, e dënoi aktin në rrjetin social X, duke e quajtur atë "të pafalshëm", ndërsa guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se shteti po punon ngushtë me autoritetet federale.