Palestina përshëndeti sot planin e Francës për të njohur një shtet palestinez në qershor.
Ministria e Jashtme e Palestinës e përshkroi planin francez si "një hap në drejtimin e duhur për ta mbrojtur zgjidhjen me dy shtete dhe për të arritur paqen në Lindjen e Mesme".
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të mërkurën se Parisi planifikon të njohë një shtet palestinez dhe mund ta bëjë këtë që në qershor.
“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm”, tha Macron për televizionin France 5.
“Nuk po e bëj për unitet apo për të kënaqur këtë apo atë person. Po e bëj sepse në një moment do të jetë e drejtë”, shtoi ai.
Franca planifikon, së bashku me Arabinë Saudite, të organizojë një konferencë ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit.
Autoritetet palestineze u bënë thirrje gjithashtu vendeve që nuk e kanë njohur shtetin palestinez që ta bëjnë këtë dhe të mbështesin përpjekjet për anëtarësimin e plotë të Palestinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Aktualisht, 147 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e njohin shtetin e Palestinës.
Më shumë se 50.900 palestinezë janë vrarë në ofensivën brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi fletarreste në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një akuzë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.