Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, shprehu sot shqetësim të thellë për rritjen e tensioneve midis Indisë dhe Pakistanit, duke u bërë thirrje të dyja vendeve të shmangin përshkallëzimin.
"Tensionet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit janë në nivelin më të lartë në vite", tha Guterres gjatë një konference për shtyp në selinë e OKB-së, duke shtuar:
"Prandaj, më dhemb kur shoh marrëdhëniet të arrijnë në një pikë vlimi."
Ai pranoi seriozitetin e sulmit të 22 prillit në vendpushimin turistik të Pahalgam në Kashmirin Indian, ku humbën jetën 26 persona.
"I kuptoj ndjenjat e ashpra pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Pahalgam më 22 prill. Edhe një herë e dënoj fuqimisht sulmin dhe shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave", tha ai.
Duke theksuar rëndësinë e llogaridhënies, Guterres tha se shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm dhe se ata që janë përgjegjës duhet të nxirren para drejtësisë në një mënyrë transparente, të besueshme dhe të ligjshme.
"Është gjithashtu e rëndësishme, veçanërisht në këtë moment kritik, të shmanget një konflikt ushtarak që mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit. Tani është koha për përmbajtje maksimale dhe tërheqje nga pragu i kolapsit. Mos gaboni. Një zgjidhje ushtarake nuk është zgjidhje", tha shefi i OKB-së.
Guterres gjithashtu ofroi mbështetjen e OKB-së për të gjetur një zgjidhje paqësore.
"Unë i respektoj thellësisht dhe jam thellësisht mirënjohës qeverive dhe popujve të të dyja vendeve dhe kontributit të tyre të rëndësishëm në punën e Kombeve të Bashkuara dhe misioneve paqeruajtëse të OKB-së", tha ai, duke shtuar se po vihej në dispozicion për t’i ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme si për Indinë ashtu edhe për Pakistanin.
“Kombet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin çdo iniciativë që promovon uljen e tensioneve, diplomacinë dhe një angazhim të ripërtërirë për paqen”, përfundoi ai.