Türkiye të dielën përkujtoi përvjetoret e dëbimit të tatarëve dhe çerkezëve të Krimesë, duke nderuar vuajtjet e të dy komuniteteve dhe duke riafirmuar mbështetjen e saj të vazhdueshme.
"Ne ndajmë hidhërimin e turqve tanë tatarë të Krimesë dhe popujve vëllezër kaukazianë, urojmë mëshirë për ata që humbën jetën në këto ngjarje tragjike që lanë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të njerëzimit dhe nderojmë me respekt kujtimin e tyre", tha Ministria e Jashtme në një deklaratë për 81-vjetorin e dëbimit të tatarëve të Krimesë.
Më 18 maj 1944, autoritetet sovjetike nën Josif Stalinin dëbuan më shumë se 190.000 tatarë të Krimesë nga atdheu i tyre në Azinë Qendrore, duke i akuzuar ata për bashkëpunim me Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dëbimi u krye në trena mallrash të mbyllur në kushte brutale. Pothuajse gjysma e të dëbuarve vdiqën nga uria, sëmundjet dhe lodhja.
"Turqit tatarë të Krimesë, populli indigjen i Krimesë, u shpërngulën me forcë nga atdheu i tyre 81 vjet më parë (18 maj) dhe u dëbuan në kushte çnjerëzore. Një numër i konsiderueshëm i atyre që u dëbuan humbën jetën si rezultat i kushteve në të cilat u ekspozuan", tha ministria.
"Edhe pse kanë kaluar dekada, të drejtat e uzurpuara të popullit tatar të Krimesë nuk janë rivendosur dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë ka thelluar më tej vuajtjet", thuhet më tej në reagim.
Duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Türkiyes, Ministria e Jashtme tha: " Türkiye, si në të kaluarën, vazhdon të mbështesë turqit tatarë të Krimesë sot për t’i eliminuar vuajtjet e tyre të padrejta, për ta mbrojtur identitetin e tyre dhe për t’u siguruar që ata të jetojnë në tokat e tyre stërgjyshore në siguri, paqe dhe prosperitet".
Ministria shënoi gjithashtu 161-vjetorin e dëbimit të çerkezëve, i cili filloi më 21 maj 1864, pas përfundimit të Luftës Ruso-Çerkeze. Perandoria Ruse dëboi me forcë qindra mijëra çerkezë nga Kaukazi i Veriut, shumica e të cilëve u dërguan në Perandorinë Osmane.
"Dëbimi i çerkezëve është një tjetër tragjedi që e kujtojmë me hidhërim. 161 vjet më parë, më 21 maj, populli kaukazian u detyrua të largohej nga atdheu i tyre në kushte të vështira dhe shumë prej tyre humbën jetën", tha Ministria e Jashtme turke
Dëbimi, i kryer në kushte të dhunshme dhe çnjerëzore, rezultoi në vdekje masive dhe konsiderohet gjerësisht si një nga spastrimet më të mëdha etnike të shekullit të 19-të.