Kryeministri rumun Marcel Ciolacu dha dorëheqjen të hënën pasi kandidati i ekstremit të djathtë George Simion fitoi raundin e parë të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale gjatë fundjavës, ndërsa rivali i tij u tërhoq nga gara.
Presidenti i përkohshëm Ilie Bolojan ka pranuar dorëheqjen e Ciolacu-t, tha zyra e tij, duke shtuar se një kryeministër i përkohshëm do të emërohet të martën.
Më herët, pas një takimi të këshillit politik të Partisë Social Demokratike Rumune (PSD), president i së cilës është, Ciolacu njoftoi se kishte vendosur të jepte dorëheqjen, duke përmendur humbjen e Crin Antonescu, një kandidat i mbështetur nga qeveria e koalicionit, raportoi televizioni lokal Antena3.
Ai tha se rezultatet tregojnë se qeveria ka humbur besueshmërinë.
"Në vend që të lejoja një president të ardhshëm të më zëvendësonte, vendosa të jap vetë dorëheqjen", tha Ciolacu.
Ai njoftoi gjithashtu se PSD nuk do të mbështesë asnjë kandidat për raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 18 maj.
Simion fitoi raundin e parë me një diferencë të madhe, duke fituar më shumë se 40.9 për qind të votave.
38-vjeçari njihet për deklaratat e tij kontraverse që pasqyrojnë pikëpamjet e tij ultranacionaliste dhe euroskeptike.
Ai do të përballet me Nicusor Dan, kryetarin e bashkisë së qendrës të kryeqytetit Bukuresht, i cili doli i dyti në zgjedhje me pothuajse 21 për qind të votave.
Më 24 nëntor, Rumania mbajti raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat u fituan nga kandidati pro-rus i ekstremit të djathtë, Calin Gorgescu.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi rezultatet, si dhe balotazhin e planifikuar për 8 dhjetor, duke thënë se procesi zgjedhor u manipulua në favor të Georgescu-t nga një fushatë e mbështetur nga Rusia.