Ndërsa Türkiye po përgatitet të jetë mikpritëse të enjten e raundit të ri të bisedimeve të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, vëmendja është rikthyer te përpjekjet e Ankarasë për të ndërmjetësuar mes palëve ndërluftuese.
Kjo iniciativë u vu sërish në fokus të dielën, kur presidenti rus Vlladimir Putin propozoi rifillimin e bisedimeve në Istanbul, aty ku më 2022 u mbajtën për herë të fundit takimet e drejtpërdrejta mes delegacioneve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të dielën se Kievi e pranon propozimin e Moskës për rifillimin e bisedimeve në Istanbul dhe pret shpalljen e armëpushimit që do të hyjë në fuqi të hënën. Deklarata e tij erdhi pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Ukrainës të pranojë ofertën e Putinit.
Në një bisedë telefonike me Putinin po atë ditë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mirëpriti mbështetjen e liderit rus për rifillimin e procesit nga aty ku u ndërpre në Istanbul, duke riafirmuar përkushtimin e Türkiyes për paqen.
Me përgatitjet për negociatat që po intensifikohen, vëmendja është e përqendruar te roli i pandërprerë i Türkiyes si ndërmjetës kyç në dialog dhe ulje të tensioneve në konflikt:
Bisedimet në Antalya dhe Istanbul
Pas shpërthimit të luftës në shkurt 2022, Türkiye ndërmori shpejt hapa të rëndësishëm për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Detit të Zi.
Ankaraja u bëri thirrje si Kievit ashtu edhe Moskës të zgjidhin konfliktin përmes dialogut dhe shprehu gatishmëri për të mbështetur çdo iniciativë, përfshirë ndërmjetësimin, që mund të çonte në paqe.
Në mars 2022, Türkiye mikpriti takimin e parë të nivelit të lartë midis ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologut ukrainas Dmytro Kuleba, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalyas.
Më pas, nga 28 deri më 30 mars në Istanbul u mbajtën negociata mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas, ku u hartua një projektmarrëveshje paqeje. Megjithatë, Ukraina më vonë u tërhoq njëanshmërisht nga procesi.
Edhe pse bisedimet nuk e ndalën luftën, ato forcuan rolin e Turqisë si një ndërmjetësues i mundshëm.
Iniciativa për drithërat në Detin e Zi
Në korrik 2022, Türkiye dhe OKB-ja ndërmjetësuan Marrëveshjen për drithërat në Detin e Zi mes Rusisë dhe Ukrainës, për ta mundësuar eksportin e grurit dhe produkteve ushqimore nga portet ukrainase.
Kjo marrëveshje e rëndësishme mundësoi eksportin e sigurt të grurit, produkteve ushqimore dhe plehrave nga portet ukrainase në Detin e Zi, përkundër luftës.
Presidenti Erdoğan dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes në pallatin Dolmabahçe në Istanbul, së bashku me përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës.
Në kuadër të marrëveshjes, Türkiye bashkëpunoi me Moskën dhe Kievin për hapjen e një korridori nga porti i Odesës për të rikthyer eksportet globale të drithit, që ishin bllokuar nga lufta.
Falë kësaj marrëveshjeje, mbi 33 milionë tonë drithë u eksportuan nga portet ukrainase, duke parandaluar një krizë globale ushqimore.
Megjithatë, në korrik 2023 Rusia tërhoqi pjesëmarrjen e saj, duke pretenduar se vendet perëndimore nuk respektuan pjesën e marrëveshjes që lidhej me eksportet ruse.
Moska u ankua për kufizime në pagesa, logjistikë dhe sigurim, gjë që sipas saj e bëri të vështirë eksportin e saj.
Shkëmbimi i të burgosurve
Në shtator 2022, Türkiye dhe Arabia Saudite ndërmjetësuan një shkëmbim të madh të të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë.
Presidenti Erdoğan njoftoi atëherë se palët shkëmbyen 200 të burgosur falë ndërmjetësimit turk dhe përpjekjeve diplomatike.
Zelensky konfirmoi në një video-mesazh lirimin e 215 ushtarëve ukrainas dhe falënderoi Türkiyen për rolin e saj.
Rusia njoftoi se Kievi kishte liruar 55 ushtarë rusë.
Një tjetër shkëmbim, ku u liruan 10 të burgosur, përfshirë dy amerikanë dhe pesë britanikë, u ndërmjetësua nga Arabia Saudite.
Takimet e nivelit të lartë dhe vizitat
Gjatë tre viteve të fundit, Erdoğan ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me Putinin dhe Zelenskyn, duke forcuar më tej rolin diplomatik të Türkiyes.
Presidenti turk ka ofruar disa herë që Türkiye të jetë mikpritëse e negociatave dhe të bëjë gjithçka që mundet për zgjidhje paqësore, duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira me të dyja palët.
Gjatë vizitës në qytetin ukrainas Lviv më 18 gusht 2022, Erdoğan u bë lideri i vetëm i një vendi anëtar të NATO-s që vizitoi si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë që nga fillimi i luftës.
Në shtator 2023, Erdoğan udhëtoi në Soçi për një takim me Putinin, ku në rend dite ishte edhe ringjallja e marrëveshjes për drithërat në Detin e Zi.
Aktiviteti diplomatik vijoi në korrik 2024 me një takim midis Erdoğanit dhe Putinit në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Astana, ku u diskutua siguria rajonale dhe ringjallja e përpjekjeve për paqe.
Në mars 2024, Zelensky vizitoi Türkiyen dhe u takua me Erdoğanin, dhe në shtator të po atij viti u takuan sërish në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në shkurt 2025, Erdoğan deklaroi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Zelenskyn në Ankara se Türkiye është “vendi ideal” për negociata të drejtpërdrejta apo shumëpalëshe për t'i dhënë fund luftës, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e ShBA-së.
Ministri i jashtëm Hakan Fidan konfirmoi më vonë se Türkiye është e gatshme të presë bisedime të mëtejshme dhe të mbështesë çdo iniciativë që çon drejt paqes.
Ky përkushtim u konfirmua edhe gjatë vizitës së ministrit të jashtëm rus Sergei Llavrov në Ankara më herët këtë vit.
Në mars, Zelensky theksoi rolin e mundshëm të Türkiyes në mbikëqyrjen e një armëpushimi të ri të rënë dakord në Detin e Zi, i cili synon të ndalë sulmet ushtarake në rajon dhe mbi infrastrukturën energjetike.