Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të martën shprehu dyshime lidhur me një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, duke pohuar se presidenti rus, Vladimir Putin, është “duke luajtur për të fituar kohë”.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian, Pistorius tha se do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën dhe të forcojnë sanksionet ndaj Rusisë për të rritur presionin diplomatik mbi Moskën.
“Ai (Putin) ende nuk është i gatshëm të bëjë asnjë lëshim. Ai flet vetëm për një armëpushim sipas kushteve të tij të njohura, si ndalimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, tërheqja nga territoret e pushtuara, dhe të tjera,” u shpreh Pistorius.
“Është mjaft e qartë se Putini ende po përpiqet të fitojë kohë. Edhe nëse Rusia është e gatshme të diskutojë një memorandum, deri tani nuk ka shenja për një armëpushim. Ky është vlerësimi im. Fatkeqësisht, duhet thënë se Putini ende nuk duket se ka interes të sinqertë për paqe apo për armëpushim,” shtoi ai.
Pistorius tha se deklaratat që vijnë nga Moska nuk janë shumë të rëndësishme dhe se Rusia do të vlerësohet sipas veprimeve dhe sjelljes së saj.
“Jam i bindur se Bashkimi Evropian mund dhe duhet t’i forcojë më tej sanksionet, në mënyrë që të jetë qartë se ne nuk do të tolerojmë më veprimet e Rusisë pa pasoja,” tha ai, duke bërë thirrje për sanksione më të ashpra si përgjigje ndaj sulmeve të fundit ushtarake të Rusisë në Ukrainë.