RAJONI
3 minuta leximi
Kurti nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu si kandidate për kryeparlamentare
Kryeministri i Kosovës, i cili foli në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, tha se Haxhiu është gruaja më e votuar në LVV me mbi 125 mijë vota.
Kurti nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu si kandidate për kryeparlamentare
Kurti nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu si kandidate për kryeparlamentare / AA
21 orë më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka thënë se nuk do të lejojë që të shkelet gruaja më e votuar e partisë së tij, Albulena Haxhi, duke e larguar atë nga pozita e kandidates për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Kurti, i cili foli në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, tha se Haxhiu është gruaja më e votuar në LVV me mbi 125 mijë vota.

“Propozimi për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Ajo ka marrë mbi 125 mijë vota dhe është gruaja më e votuar në zgjedhje. Nuk lejoj të shkelet gruaja më e votuar”, u shpreh Kurti, duke mos dhënë shenja se mund ta ndërrojë emrin e saj, siç janë duke kërkuar disa nga partitë e ish-opozitës parlamentare në Kosovë.

Kurti tha se vendimi i partisë së tij është që ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shkojë në legjislativin e vendit, ndërsa ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca të bëhet pjesë e qeverisë së re.

“Ne kemi marrë vendim ta propozojmë ministren e Drejtësisë, gruan më të votuar, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit, ndërkaq, Glauk Konjufca jemi marrë vesh që do të bëhet anëtar i qeverisë në ‘Kurti 3’. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”, tha Kurti.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do t’i ketë shumicën e votave për formimin e qeverisë së re, por, së pari duhet të emërohet kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarët e këtij institucioni, e më pas të formohet qeveria.

Kreu në detyrë i qeverisë, Kurti, pranoi se për ta bërë qeverinë e re duhet të bëjë kompromise e koncesione.

“Kur formohet qeveria do të na duhet të bëjmë koncesione e kompromise, dhe këtu natyrisht që ne do t’i bënim sërish bisedat me të tjerët e natyrisht para së gjithash me pakicat që tashmë i kemi si vota për Albulena Haxhiun dhe me të cilët kemi bashkëqeverisur deri më tani dhe me Nismën me të cilën kemi pasur takime”, theksoi ai.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare u takuan me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Por, krerët e partive politike, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se nuk pati ndonjë përparim, megjithëse takimin e panë si të nevojshëm. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për këtë javë.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us