Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të hënën se një bisedë telefonike shumë e pritur me presidentin rus Vladimir Putin “shkoi shumë mirë” dhe se Moska dhe Kievi pritet të nisin “menjëherë” negociatat për një armëpushim.
Trump e përshkroi telefonatën dy orëshe me Putinin si “të shkëlqyer”, duke theksuar se Moska dëshiron të zhvillojë “tregti në shkallë të gjerë” me ShBA-në pas përfundimit të luftës.
Ai e cilësoi potencialin për marrëdhënie tregtare mes ShBA-së dhe Rusisë si “të pakufizuar”, duke shtuar se Ukraina “mund të përfitojë shumë nga tregtia në procesin e rindërtimit të vendit të saj.”
“Rusia dhe Ukraina do të nisin menjëherë negociatat për një armëpushim dhe, më e rëndësishmja, për përfundimin e luftës. Kushtet për këtë do të negociohen mes palëve, siç duhet të jetë, sepse vetëm ato njohin detajet që askush tjetër nuk i di”, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.
“Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka shprehur interes të madh për të pritur negociatat. Le të fillojë procesi!” shtoi ai.
Trump tha se ka informuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin francez Emmanuel Macron dhe zyrtarë të tjerë evropianë mbi detajet e bisedës me Putinin menjëherë pas përfundimit të saj.
Më herët, gjatë një konference për shtyp në Soçi, Rusia, Putin e përshkroi bisedën me Trumpin si “të hapur dhe përmbajtësore”, duke thënë se presidenti amerikan e pranoi atë që ai e cilësoi si përkushtim i Rusisë për një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë.
“Presidenti amerikan e shprehu qëndrimin e tij për armëpushimin dhe, nga ana e tij, gjithashtu vuri në dukje se Rusia mbështet një zgjidhje paqësore të krizës ukrainase. Ne thjesht duhet të përcaktojmë mënyrat më efektive për të ecur drejt paqes”, tha ai.
Një armëpushim me Ukrainën, sipas Putinit, është i mundur sapo të arrihen marrëveshjet përkatëse, dhe se Rusia dhe Ukraina duhet të gjejnë kompromise të pranueshme për të dyja palët.
“Ne jemi dakordësuar me presidentin amerikan që Rusia do të propozojë dhe është e gatshme të punojë me palën ukrainase për një memorandum mbi një traktat paqeje të mundshëm në të ardhmen, ku do të përcaktohen një sërë piketash si parimet e zgjidhjes, afatet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, përfshirë një armëpushim të mundshëm për një periudhë të caktuar nëse arrihen disa marrëveshje”, deklaroi Putin.